Shqipëria përkujtoi sot 100 vjetorin e parlamentit të saj, i krijuar së pari nga Kongresi i Lushnjes, krahas qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Kongresi i Lushnjes vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Aty u rithemelua shteti shqiptar i pavarur, u krijua parlamenti e qeveria dhe shqiptarët shprehën vendosmërinë për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të shtetit. Emisioni Opinion ka trajtuar këtë të martë pikërisht këtë ngjarje historike.

Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave: Në fakt historia e shtet-formimit shqiptar kishte një histori që praktikisht nuk kishte shtet. Qeveria e dalë nga Kuvendi i Vlorës nuk kontrollonte dot territor. Shumica e territoreve nuk ishte në kontrollin e asaj qeverie, ishte vetëm 1/20 që kontrollonte ajo qeveri. Qeveria e Princ Vidit në maksimumin e vet arriti të kontrollonte një pjesë të vogël të vogël të territorit shqiptar, pasi nisi lëvizja Epiriote, lëvizja anti-Haxhi Qamiliste, nuk pati shtet Shqipëria. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore Kongresi i Durrësit, i pari në vitin 1918 me mbështetjen e italianëve, por kur nacionalistët shqiptarë pasivisht u bën pjesë e saj në mënyrë që të krijohej një bërthamë shtet-formuese, krijoi një qeveri në Durrës me kryesimin e Turhan Pashës dhe që janë një pjesë e figurave që më vonë janë pjesë e Kongresit të Lushnjes. Shqipëria në momentin e qeverisë së Durrësit ishte në këtë situatë, Vlora ishte e pushtuar nga forcat italiane, me tendencë aneksimi, që Vlora të ishte pjesë e Italisë. Franca po tentonte të zëvendësonte trupat franceze me trupat greke në Korçë dhe kishin arritur një marrëveshje për këtë gjë. Jugosllavët bënin hyrje-dalje në veri të Shqipërisë dhe kishte zona të pushtuar në këtë periudhë. Në këtë periudhë është arritur një marrëveshje mes Greqisë dhe Italisë, më saktë në vitin 1919, në të cilën binin dakord që kjo do të ishte ndarja e Shqipërisë, pjesa e mbetur do të ishte një protektorat i Italisë, pra një shtet gjysmë e pavarur. Kongresi i Lushnjes është derivat i debateve të brendshme shqiptare të Kongresit të Durrësit. Siç kemi sot partitë politike, ku një pjesë ishte filioitaliane dhe mbështeste politikat italianet dhe pjesa tjetër e kundërshtonte këtë dhe ky lloj kundërshtimi vemi te Kongresi i Lushnjes. Çfarë prodhoi Kongresi i Lushnjes? E para është vetorganizim politik shqiptar dhe mbi të gjitha ky vetorganizim politik prodhoi demokraci, këta njerëz vendosën që Shqipëria duhet të prodhonte parlamentarizëm dhe pluralizëm. Pleqësia e Shqipërisë së Mesme dhe Senati i prodhuar nga Kongresi i Lushnjes nuk janë përfaqësuese, janë grupime të cilat zgjidhen nga delegatët për të kontrolluar paksa qeveritë.

Artan Lame, Studiues: Nuk do lëmë pa përdorur dorën pozitive në atë moment të britanikëve. Ajo që i bëri shqiptarët t’i thërrasin mendjes ishte një moment i vetëm. Italianët mbanin garnizone në Shqipëri dhe prisnin se çfarë do ndodhte. Ishte marrëveshja mes Italisë dhe Greqisë ajo që bëri të humbiste gjithë qeverinë e Durrësit. Ishte një thikë e pabesueshme për të gjithë ata që besonin tek qeveria e Durrësit. E para u ngrit një revoltë e brendshme, ajo masa e njerëzve që kuptoi se çfarë po ndodhte. Anglezët zbuluan arkivat austriake dhe panë që në Shqipëri kishte naftë. Ata thanë, STOP këtu na duhet një shtet i stabilizuar i qëndrueshëm. Dora e britanikëve është e qartë në ndihmën që iu dha në organizim.

Kongresi i Lushnjes dhe institucionet që krijoi ai i dha fund në janar 1920 qeverisë së përkohshme të Durrësit, që ishte krijuar një vit më parë. Qeveria dhe institucionet e tjera të formuara në Lushnje u zhvendosën më pas në Tiranën kryeqytet, ku vazhdojnë edhe sot funksionimin e tyre prej 100 vjetësh./opinion.al