Kongresi i ri do të testojë bashkëpunimin politik

Pavarësisht fushave të panumërta të konfliktit të mundshëm, vëzhguesit politikë thonë se një Kongres amerikan i ndarë politikisht dhe i polarizuar ideologjikisht mund të gjejë fusha bashkëpunimi të kufizuar mes dy dhomave dhe Presidentit Donald Trump, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm.

Qeverisja e përçarë është diçka e zakonshme në politikën amerikane dhe e kemi madje më shumë se qeverisjen e bashkuar”, thotë analisti politik John Fortier, i Qendrës së Politikave Dypartiake, me seli në Uashington. “Kjo do të thotë se mbi të gjitha, axhenda e presidentit nuk do të jetë axhenda e legjislativit. Do të ketë gjëra për të cilat do të nevojitet bashkëpunimi i demokratëve dhe i republikanëve; diçka e vështirë, por ende e mundshme”.

Nëse do të ekzistojë dëshira për të treguar një nivel arritjesh, ekziston një numër fushash, megjithëse të pakta, ku mund të veprosh – si infrastruktura, ose ndoshta konsolidimi i disa shërbimeve të kujdesit mjekësor”, thotë Guian McKee, profesor në Universitetin e Virxhinias.

Presidenti Trump dhe udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Ligjvënësja Nancy Pelosi nga shteti Kaliforni, kanë sinjalizuar tashmë dëshirën për të gjetur terrenin e përbashkët.

Të shpresojmë se do të punojmë së bashku vitin tjetër që të vazhdojmë të japim rezultate për popullin amerikan, ndër të tjera për rritjen ekonomike, infrastrukturën, tregtinë, uljen e çmimeve të barnave”, tha Presidenti Trump gjatë një konference për shtyp të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë. “Këto janë disa gjëra për të cilat demokratët dëshirojnë të punojnë, dhe besoj vërtet se do të mundemi t’i realizojmë”.
Do të përpiqemi për një përqasje dypartiake”, u tha zonja Pelosi gazetarëve ditën pasi demokratët fituan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nga votimet e mesmandatit. “Besojmë se kemi përgjegjësinë për të kërkuar terrenin e përbashkët aty ku mundemi. Për çështjet për të cilat nuk mundemi, duhet të ruajmë qëndrimin tonë. Por, duhet ta provojmë”.

Megjithatë, dolën në pah me shpejtësi fërkime rreth asaj që demokratët e perceptojnë si detyrën e tyre për të mbikqyrur ekzekutivin dhe rreth asaj që Shtëpia e Bardhë e shikon si një abuzim të mundshëm të motivuar politikisht – autoritetin hetimor që demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve do të ushtrojnë kur të bëjë betimin Kongresi i ri.

Populli amerikan kërkoi llogaridhënie të qeverisë së tyre dhe dërgoi një mesazh të qartë për atë çfarë dëshirojnë nga Kongresi”, shkruajti në Twitter demokrati kryesor në Komisionin për Gjyqësorin të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerry Nadler, Ligjvënës nga shteti Nju Jork. @realDonaldTrump ndoshta nuk i pëlqen kjo gjë, por ai dhe administrata e tij do të japin llogari përpara ligjeve tona dhe popullit amerikan”.

Megjithatë, Presidenti Trump paralajmëroi se një valë hetimesh ndaj administratës së tij do të shkaktonte “një qëndrim pothuajse luftarak”.

Kontrolli i përbashkët republikan i dy dhomave të Kongresit solli një pushim dy-vjeçar të betejave të ashpra për buxhetin dhe shpenzimet, të cilat patën përndjekur Uashingtonin gjatë administratës së mëparshme të Presidentit Obama.

Dy vitet e ardhshme do të kenë beteja të vazhdueshme buxhetore në Uashington, me kërcënime për mbyllje të qeverisë dhe madje edhe realizim të mbylljes, të cilat do të shndërrohen në normë”, thotë analisti i buxhetit federal, Stan Collender. “Edhe nëse republikanët e Senatit dhe demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve bien dakort për rritjet e zërave të shpenzimeve që kërkon pala tjetër, nuk do të ketë asnjë garanci se Presidenti Trump do të bjerë dakort dhe do të nënshkruajë një ligj për buxhetin që nuk do të përfshijë kërkesat që ai vetë ka për shpenzimet që duhet të bëhen”.

Për momentin, ligjvënësit kryesorë po i mëshojnë përqasjes së përveshjes së mëngëve për t’iu futur punës, duke reflektuar kështu një lloj sjelljeje të njerëzishme dhe dypartiake. Udhëheqës i maxhorancës në Senat, Mitch McConnell, republikan nga shteti Kentucky, përmendi sistemin e kujdesit shëndetësor gjatë një konference për shtyp të mërkurën.

Ka probleme serioze me Obamacare, probleme serioze që duhen ndrequr”, tha zoti McConnell. “Problemin nuk e zgjidh retorika dhe mendoj se tashmë do të na duhet ta trajtojmë këtë çështje mbi baza dypartiake”.

Pak minuta më vonë, kreu i opozitës Chuck Schumer, i shtetit Nju Jork, u tha gazetarëve se demokratët në Senat mund t’i zgjerojnë radhët e tyre “duke u përqëndruar tek çështjet e klasës së mesme, çështje që kanë ndikim tek votuesit, si kujdesi shëndetësor, çmimet e barnave dhe të tjera çështje të ngjashme”./VOA

Kategori
AnalizaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*