“E papranueshme dhe e dyshimte që Departamenti i Shtetit nuk përgjigjet”

Kongresmeni republikan amerikan Li Zeldin kërkon sërish sqarime nga Departamenti Amerikan i Shtetit, lidhur me vendimin për t’i ndaluar ish-kryeministrit Sali Berisha, hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara. Kërkesën ia bëri përmes një letre të dytë, sekretarit të shtetit Entoni Blinken, ku e konsideron të papranueshme dhe të dyshimtë mungesën ende të një përgjigjeje, ndaj kërkesës për informacione të hollësishme mbi motivet e këtij vendimi.

“Janë bërë 5 muaj që nga kërkesa ime fillestare, çka është një kohë e mjaftueshme për një përgjigje të mjaftueshme. Është e papranueshme dhe e dyshimtë që Departamenti i Shtetit nuk ka përmbushur mjaftueshëm këtë kërkesë për informacione shtesë në kohën e duhur, duke zgjedhur në vend të kësaj një përpunim të ngadaltë të kërkesës për transparencë nga Kongresit”.

Zeldin shprehet se kërkesën e parë, Blinkenit ia ka bërë në përballjen para Komisionit për Punët e jashtme të Kongresit më 7 Qershor, ndërsa të dytën përmes një letre që mban datën 27 Gusht. Zeldin kërkon sqarime për termin “korrupsion madhor” që është përdorur si argumentin nga Departamenti i Shtetit për vendosjen e sanksioneve ndaj tij. Vendimin për shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës dhe familjarëve të tij në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Shtetit e bëri publik më 19 Maj të këtij viti.

Tv Klan