Konjufca: Kurti dhe Osmani garantuan se ligjin për zgjedhjet do të negociohet me opozitën



Konjufca: Kurti dhe Osmani garantuan se ligjin për zgjedhjet do të negociohet me opozitën

12:43 03/04/2021

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një deklarate për media tha se ka marrë garancinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidates së Vetëvetëndosjes për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani se “gjithçka që ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet, do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.

“Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas një takimi që Konjufca e ka zhvilluar të dielën me Kurtin dhe Osmanit.

Ai tha se në takim është diskutuar mbi rëndësinë e kompletimit të kësaj faze të tretë të krijimit të institucioneve. Kosova është në prag të një krize politike që mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka paralajmëruar të premten se nuk përjashtohet mundësia që seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të thirret gjatë fundjavës. Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka konfirmuar më herët se janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme dhe se për postin e presidentit kandidojnë dy persona: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Por, për zgjedhjen e presidentit duhet që të votojnë së paku 80 deputetë.

Ish-partia e saj, LDK-ja, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit. Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.

Partitë tjera në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë kundërshtuar zgjedhjen e Osmanit në këtë pozitë. Përplasjet politike u shtuan kur të premten, kryeministri Kurti e mblodhi kabinetin qeveritar dhe e procedoi në Kuvend për miratim me procedurë të përshpejtuar ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i bëri thirrje Kurtit dhe shumicës parlamentare “që të heqin dorë nga ky shantazh i sotëm ndaj opozitës”.

Kuvendi u mblodh të premten në mbrëmje në një seancë të jashtëzakonshme, mirëpo kërkesa nuk kaloi pasi opozita votoi kundër. Ndryshimet e ligjit do t’i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë pas përfundimit të seancës se kryeministri Albin Kurti – lider i Lëvizjes Vetëvendosje – e ka kërcënuar demokracinë në Kosovë. Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk po mund t’i bëjë ballë pushtetit.

Të shtunën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, ka thënë se partia e tij nuk dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje të reja, por synon “zgjedhjen e presidentes së Kosovës”.

“Ata që nuk e duan zgjedhjen e Presidentes, ata që nuk e duan Presidenten, që kanë bërë e po bëjnë luftë speciale kundër saj, mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Me zgjedhjen e tyre ata i kanë zgjedhjet në dorë: ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen Vetëvendosje”, ka shkruar Kurti në një postim në rrjetin social Facebook.

Që prej 5 Nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë./REL







Të ngjashme