Dyshime se kompanitë që dominojnë tregun kanë abuzuar me konsumatorin

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetim të thelluar për tregun e mikrokredisë, qirasë financiare dhe transfertave të parasë elektronike për një pjesë të institucioneve financiare jo banka që operojnë në Shqipëri.

Vendimi ka ardhur pas një monitorimi që i është bërë këtyre shoqërive gjatë vitit 2020 dhe është konstatuar ka arsye për ngritjen e dyshimeve për disa nga ndërmarrjet në këtë treg që zënë pjesën më të madhe të tij, për abuzim me pozitën dominuese.

Tashmë Komisioni i Konkurrencës do të monitorojë sjelljen e institucioneve financiare nëse kanë vendosur kushte të padrejta në interesat e kredive që u kanë dhënë klientëve, kanë zbatuar kushte pabarabarta për një pjesë të tyre apo i kanë vendosur detyrime kontraktuale shtesë në mënyrë të padrejtë.

3 prej kompanive që janë nën hetim kanë bërë ankesë për refuzim të hetimit, por kjo nuk është pranuar në disa vendime rresht që ka marrë Autoriteti i Konkurrencës.

Tregu i mikrokreditit ka marrë një gjallërim të madh në Shqipëri vitet e fundit. Në dy vitet e fundit numri i konsumatorëve që kanë marrë kredi në këto institucione ka arritur në 350 mijë persona.

Tv Klan