Dyshime për vendosje kushtesh të pabarabarta dhe deformim të konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim të thelluar në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve në Shqipëri duke shtrirë më tej dyshimet për deformim të konkurrencës.

Sipas raportit të miratuar në vendim, do të merret në vëzhgim sjellja e 3 ndërmarrjeve që kanë të drejta ekskluzive të porteve ku ngarkohen, shkarkohen dhe depozitohen hidrokarburet nga Janari 2017 deri në Tetor të vitit 2020.

Sipas hetimeve paraprake të cilat nisën në tetor te vitit të shkuar, një prej kompanive vendos kushte sipas tagrit të saj lidhur me garancitë financiare që u kërkon importuesve të naftës, ndërsa dy të tjera kanë lidhje direkte me firmat që tregtojnë naftë me shumicë e pakicë në treg.

Aktualisht, pavarësisht çmimeve të ulëta të naftës në tregjet botërore, Shqipëria vijon të ketë vlera më të larta të saj se vendet e rajonit. Ky është hetimi i dytë që konkurrenca ka hapur vitet e fundit në këtë treg.

Tv Klan