Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim në tregun e prodhimit dhe importit të miellit në Shqipëri, duke ngritur dyshime të forta se disa kompani të cilat zotërojnë një përqindje të konsiderueshme të tregut, vendosin çmime të larta të këtij produkti në dëm të interesave të konsumatorit.

Komisioni i Konkurrencës e ka marrë këtë vendim në ditët e para të muajit Tetor, por nuk e ka publikuar atë në faqen zyrtare, praktikë që nuk e ndjek me pjesën më të madhe të tregjeve.

Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se vendimi për të hetuar këtë treg nisi pas një monitorimi që Konkurrenca i ka bërë shitjes dhe prodhimit të miellit, e ku janë shfaqur dyshime lidhur me një organizim të kompanive për të shtrembëruar konkurrencën dhe vendosur çmime të larta e cilësi të ulët të këtij produkti bazë për konsumatorët.

Mësohet se procedura është në fazën e përpunimit dhe administrimit të gjetjeve të hetimit. Aktualisht është konstatuar se tregu ka disa ndërmarrje të cilat kanë pozitë dominuese dhe sjellin një përqëndrim të lartë në përcaktimin e çmimeve të miellit.

Lufta me standardet  dhe cilësinë e miellit në Shqipëri ka qenë e vazhdueshme, aq sa Autoriteti i Kombëtar i Ushqimit ka depozitur kallëzime penale për dy firma që importojnë miell nga Serbia dhe zënë 40% të tregut këtu. Vetëm gjatë 2018-ës, AKU bllokoi mbi 100 ton miell për mashtrim të përqindjes së proteinës dhe cilësi të ulët.

Tv Klan