Prokuroria zbuloi se informacionet për lëndë helmuese ishin të rreme

Në 2 Korrik të këtij viti emisioni “Stop” trajtoi rastin e një anijeje në Vlorë, që në Shkurt 2020 u dyshua se transportonte mbetje të rrezikshme toksike.

“Në datën 20 Shkurt u arrestuam nga policia e Vlorës, kuptohet me urdhër të prokurorisë”, tha kapiteni i asaj anijeje Festim Tefa.

Pas hetimit dhe bërjes së analizave për materialet e dyshuara, prokuroria vërtetoi se nuk bëhej fjalë për mbetje toksike.

Por informacioni që u dha për anijen kanë qenë të rreme për shkak të konkurrencës. Anija “Damian” kishte ulur ndjeshëm çmimet e biletave dhe transportit.

“U tha që fuçitë mund të ishin mbushur me lëndë helmuese, mund të ishin fuçitë e vajit të zeza me mbishkrim të verdhë që shikon kategorinë, llojin e vajit. Nuk e di si e kishin se nuk jemi marrë me këto gjëra kështu”, tha Tefa.

Edhe pse mbetjet nuk rezultuan toksike dhe anija u la e lirë, kapiteni i saj, Festim Tefa, u mbajt në arrest shtëpie. Prokurori Arjan Xhaferraj u kërkoi gazetarëve të Stop që të marrin informacione në rrugë zyrtare se pse mbahej akoma në arrest shtëpie kapiteni i anijes.

“Mua nuk më ka ndodhur asnjë lloj problemi gjatë jetës sime nëpër anije. Nuk kam pasur asnjë lloj avarie shyqyr Zotit. Këtu tani nuk e di se si ndodhi. U bë një spektakël televiziv, me informacione që nuk na takonin. Më shumë edhe u ofenduam. Nëse u mendua se transportonim mbetje kontrabandë, shkelje, gjëra, kush janë provat, që të paktën të bindemi ne sepse akuzohem për një krim që nuk e kuptoj për çfarë akuzohem. Pastaj a mund ta bëj unë një gjë të tillë, një moshatar që kam punuar një jetë të tërë me ndershmëri në punë? Kam qenë ushtarak, të paktën ne ushtarakët jemi rritur që të mos bëjmë gjëra të tilla”, tha Tefa.

Vetëm disa ditë pas publikimit në “Stop”, prokurori e ndryshoi masën e arrestit nga ajo arrest shtëpie në detyrim paraqitje. 75-vjeçari Tefa drejton sërish anijen dhe falenderon emisionin “Stop” për rikthimin në punë e në jetën e lirë.

“Pas nja një jave mua më liruan, më ndryshuan masën. Punoj në një anije tjetër kapiten. Faleminderit shumë nga juve”, tha Tefa. /tvklan.al