Recitimi, kompozicioni, kënga dhe artet figurative ishin gjinitë e artit dhe letërsisë në të cilat nxënësit e shkollave jopublike “Turgut Ozal”, “Mehmet Akif” dhe “Hasan Riza Pasha” konkurruan mes njëri-tjetrit.

Si në çdo vit, konkursi prihet nga identifikimi i talenteve, fillimisht në një konkurs që zhvillohet në secilën nga tre shkollat, për të mbërritur në atë që njihet si “Dita e Finales së Madhe”, ose e konkurrimit mes njëri–tjetrit të nxënësve artistë nga të treja shkollat.

Për 2017, finalistët ishin 166. Në ambiente të dedikuara për artin dhe kulturën në shkollën “Turgut Ozal” artistët e së ardhmes garën e zhvilluan në tre kategori, mes nxënësve nga klasa e 4 në të 6, mes atyre nga e 7 në të 9-ën dhe e fundit, kategoria e klasave nga e 10 në të 12-ën.

Krijimtaria e tyre në pikturë, grafikë, karbon, vizatim, prozë e poezi apo aftësitë e veçantitë e tyre në këngë e recitim u gjykuan nga një juri profesioniste, emra të njohur të artit dhe kulturës shqiptare.

Rajmonda Bulku, Sokol Angjeli dhe Mimoza Mevlani gjykuan dhe në fund përzgjodhën më të mirët e recitimit. Zërat e rinj u vlerësuan nga këngëtaret Irma Libohova, Rovena Dilo dhe Kejsi Tola.

Pas etheve të konkurrimit, juritë përkatës shpallën edhe fituesit në secilën nga gjinitë e artit dhe letërsisë. Për më të mirët mes të mirëve dhe për të shënjuar momentin, u shpërndanë medalje për vendet e para, të dyta dhe të treta.

Tv Klan