Në redaksinë e emisionit “Stop” ka mbërritur një denoncim për një konkurs me rezultat të paracaktuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Konkursi u zhvillua për herë të parë në vitin 2019, për një pozicion pune si pedagog me kohë të plotë në Departamentin e Matematikës.

Kriteret u vunë në mënyrë të tillë, që t’i plotësonte vetëm një kandidat dhe kështu fituesi u paracaktua. Fituese u shpall zonja Tedis Rama, por ish-Rektori i UT, Mynyr Koni, konstatoi shkelje të procedurës dhe anuloi konkursin bashkë me fituesen e shpallur.  Konkursi u rihap dhe kriteret u rishkruan në përputhje me cilësitë e zonjës Rama.

“Stop” pati një takim me Dekanin e FSHN -se Spiro Dushku, për këtë problematike por ai mohon ditën për diell ndryshimin e kritereve dhe përshtatjen e tyre enkas për kandidaten Tedis Rama.

Gazetari: Si jeni? Si shkojnë punët?

Dekani: Mirë!

Gazetari: Shëndeti?

Dekani: Ja, me këto provimet… Unë jam dekani, ai është departamenti, problemi është, që kërkesa juaj nuk është shumë e qartë dhe specifike nga ana juaj!

Gazetari: Ja ideja është këtu: dyshohet, sepse gjithë kriteret dhe konkursin e parë dhe të dytë janë bërë apostafat për një konkurrent, i cili është parapërcaktuar. Ky është domethënë dyshimi, që ne po investigojmë.

Dekani: Dëgjo! Se çfarë mund të investigoni, siç doni ju, ose televizioni, ose personat, që janë aty, problemi është, se kriteret, si herën e parë dhe herën e dytë, të njëjtat janë…

Gazetari: Nuk janë të njëjtat!

Dekani: Nuk janë ndryshuar…

Gazetari: Jo! Janë ndryshuar!

Dekani: Unë them, që s’janë ndryshuar.

Gazetari: Janë ndryshuar në disa momente të vogla.

Dekani: Ku për shembull?

Por edhe pse dekani shprehet se kriteret nuk janë ndryshuar, në dy konkurset ka pasur kritere të ndryshme. Për konkursin e parë kriter ka qenë që kandidatët duhet të kishin mbaruar vetëm matematikë, ndërsa në të dytin mund të kandidonin dhe ata që kanë mbaruar matematikë-fizikë. Po ashtu dhe kriteri i mesatares është ndryshuar sërish.

Dhe siç u paralajmërua, Tedis Rama u shpall sërish fituese në konkursin e ribërë dhe tashmë ajo është pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës./tvklan.al