Konomi flet për gjendjen e tij pas takimit me yjet e tenisit, që rezultuan me Covid-19



Konomi flet për gjendjen e tij pas takimit me yjet e tenisit, që rezultuan me Covid-19

22:11 01/07/2020

Gazetari dhe opinionisti Arian Konomi, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “skype” me emisionin “Rudina”, foli këtë të mërkurë për takimin me yjet e tenisit botëror, të cilët rezultuan të infektuar me Covid-19.

Disa ditë më parë Konomi ka udhëtuar drejt Beogradit për të ndjekur turneun e tenisit, një nga sportet e tij të preferuar. Por lajmi se tenisti numër një i botës Novak Djokoviç dhe familjarë të tij kanë dalë pozitivë me Covid-19, ka shqetësuar Arjan Konomin, i cili menjëherë është karantinuar pasi i ka takuar dhe rreziku që edhe të jetë i infektuar është i lartë.

Nuk jam i infektuar, ose të paktën deri tani nuk kam shenja të infektimit”, tha Konomi. “Unë jam karantinuar në fakt, sepse stadiumi ishte plot në Beograd. Kishte një interes shumë të madh edhe nga gjithë bota, sepse ishte turneu i parë pas disa muajsh dhe i vetmi eveniment sportiv që kishte ndodhur këto kohë. Por tërë ai lezeti, tërë bukuria dhe tërë ai sukses u prish nga lajmi se disa nga tenistët, duke përfshirë edhe Djokoviçin, numrin 1 në botë, rezultuan të infektuar me Covid-19.

Konomi ka pasur mundësinë që të bëjë foto edhe me kupat e famshme disa milionë dollarësh të turneve gjigande si Wimbledon e Roland Garros, të cilat i ati i Djokovicit i ka nxjerrë nga raftet e sigurisë së lartë.

Takimi me sportistët më të famshëm “ishte realizimi i një ëndrre dhe gati i pabesueshëm” për Konomin.  “Bëja foto dhe të them të drejtën, se është edhe pak për të qeshur dhe e pabesueshme, nuk dija të bëja selfie. Vajta në një cep dhe provoja, nuk kisha bërë asnjëherë selfie për veten time. U ngatërrova shumë herë me fotot sa më vinte edhe inat. Gjithsesi nuk kishte ndonjë foto cilësore, por janë kujtime shumë të bukura. U zotova tani që do të filloj të mësohem të bëj selfie dhe video të bukura.

Konomi ndërkohë pret me shumë emocion botimin e “Sagës së Jetëve Legjendë 2” , rezultat i një pune tepër të vështirë kërkimore që ka zgjatur afro dy vjet. Ai prej kohësh është larguar nga Tirana për t’iu dedikuar krijimtarisë dhe kopshtarisë në fshatin Vuno./tvklan.al




Të ngjashme