Kreu i selisë blu, Lulzim Basha, zhvilloi një konferencë për mediat këtë të mërkurë një ditë pas marrëveshjes mes opozitës dhe mazhorancës për Reformën Zgjedhore.

Kryedemokrati iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse marrëveshja e djeshme ishte konsensus mes tij dhe mazhorancës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Basha tha se nuk ka konsensus sepse po të kishte, kjo gjë do të ishte bërë publike.

Ai theksoi se ky është objektiv i shpallur i opozitës, e cila do të bëjë gjithçka për ta arritur.

Gazetarja: Ju thoni se për daljen nga kriza ku ka hyrë vendi, nuk mjafton vetëm bërja e reformës elektorale, por edhe zbatimi si dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe lokale në një ditë. Por a është marrëveshja e djeshme një konsensus i arritur mes jush dhe mazhorancës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në pranverë apo në vjeshtë?

Lulzim Basha: Jo nuk është, se po të ishte do ta kishim raportuar si të tillë. Është objektiv i shpallur i opozitës së bashkuar në funksion të së cilit do të mobilizojmë çdo lloj instrumenti popullor, qytetar, politik, ndërkombëtar, por padyshim siç e keni dëgjuar në frymën e organizatës, kreu i së cilës është, sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë mund të kapësh. Këtu janë dy axhenda krejtësisht të ndryshme. Axhenda e Ramës është të qëndrojë në pushtet me çdo mjet dhe çdo formë sa më gjatë. Axhenda e opozitës është t’i japë fund kësaj sa më parë me zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje vendore që mbahen në një ditë./tvklan.al