Partia konservatore CDU/CSU fitoi zgjedhjet gjermane me 28.6% të votave, ndërsa Partia e ekstremit të djathtë AfD u rendit e dyta me udhëheqësen Alice Weidel që pretendoi se ishte një “rezultat historik” që nga zgjedhjet e 2021.
Pas një fushate të ashpër nga një seri sulmesh të dhunshme dhe ndërhyrje nga administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump, blloku konservator CDU/CSU fitoi 28.6% të votave, e ndjekur nga AfD me 20.8%, tregoi një exit poll i publikuar nga transmetuesi publik ZDF.
Social Demokratët (SPD) e kancelarit Olaf Scholz ranë në rezultatin e tyre më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore, 16.4% të votave, sipas ZDF. Të Gjelbërit ishin në 11.6%, ndërsa FDP 6.6%.
Ndërsa kancelari në largim Olaf Scholz, duke folur para mbështetësve në Berlin, pranoi humbjen e zgjedhjeve”.
“Ne po luftojmë për demokracinë. Tani kemi të djathtën ekstreme – AfD – dhe fakti që morën një rezultat kaq të mirë zgjedhor është diçka që ne nuk mund ta pranojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë”, tha Olaf Scholz.
Ndonëse CDU/CSU fitoi shumicën e votave, ata ende nuk kanë 316 vendet e nevojshme për të formuar një qeveri. Prandaj, do të duhet të krijojnë një koalicion, një proces që mund të zgjasë javë, apo edhe muaj.
“Ne ende nuk e dimë nëse do të na duhen një apo dy partnerë, por sido që të jetë, do të kemi mandatin për të drejtuar qeverinë. Faleminderit shumë për mbështetjen e jashtëzakonshme. E gjithë selia e partisë bëri një punë të shkëlqyer këto javët dhe muajt e fundit”, tha Friedrich Merz.
Në vitin 2017, negociatat e koalicionit morën kohën më të gjatë në historinë gjermane, duke e lënë vendin pa qeveri për gati gjashtë muaj. Megjithatë, nëse prioritetet politike të partnerëve janë më të përafërta dhe vetëm dy parti janë të përfshira në vend të tre, gjërat mund të ecin shumë më shpejt.
CDU/CSU pritet gjerësisht të formojë një koalicion me socialdemokratët e kancelarit në largim Olaf Scholz (SPD). Blloku i Unionit është zotuar të mos bashkëpunojë me Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë. Friedrich Merz i CDU-së pritet gjerësisht të bëhet kancelari i ardhshëm, por ai nuk do ta marrë zyrtarisht rolin, derisa të formohet një koalicion i mundshëm.
Më pas, presidenti gjerman do t’i paraqesë Bundestagut një kandidat, zakonisht kandidati kryesor i partnerit të lartë të koalicionit, për t’u zgjedhur si kancelar.
Politikani 69-vjeçar, nuk ka përvojë të mëparshme qeveritare, por ka premtuar të sigurojë udhëheqje më të madhe se Scholz dhe të lidhet më shumë me aleatët kryesorë, duke e rikthyer Gjermaninë në zemër të Europës.
Këto negociata sigurisht që do të jenë të ndërlikuara pas një fushate që ekspozoi ndarjet e mprehta mbi migracionin dhe mënyrën se si do të veprohet me ekstremistët e AfD-së.
Klan News