Aleksa Beçiç zgjidhet kryeparlamentar

U konstituua këtë të mërkurë Parlamenti i ri i Malit të Zi, i cili do të ketë një shumicë të re të përbërë nga deputetët e tre koalicioneve ai “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë”.

Seanca filloi me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe u drejtua nga Miodrag Lekiç, si parlamentari më i vjetër, ndërkohë që në të nuk ishte i pranishëm Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

Pas verifikimit të mandateve të deputetëve të përbërjes së re të kuvendit, kryesuesi Lekiç evidentoi faktin se për herë të parë në Mal të Zi ka pasur një ndryshim të qeverisë dhe transferim paqësor të pushtetit, ndërsa përjashtoi mundësinë për revanshizëm ndaj qeverisë së mëparshme.

Menjëherë pas betimit, Kuvendi kaloi në votimin për zgjedhjen e organeve të reja drejtuese. Me votë të fshehtë, deputetët zgjodhën me shumicë votash Aleksa Beçiç, si kryetarin e ri të Kuvendit të Malit të Zi.

Seancës konstituive të Kuvendit i parapriu një përpjekje për të arritur një marrëveshje midis përfaqësuesve të tre koalicioneve dhe drejtuesve të subjekteve politike të shumicës së re parlamentare, mbi të mandatuarin dhe përbërjen e qeverisë dhe ndarjen e Ministrive.

Por negociatat që u zhvilluan më 22 Shtator, në Manastirin e Ostrogut me ndërmjetësimin e Peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe, Amfilohije përfunduan pa rezultat.

Gjithsesi, drejtuesi i koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, pro-serbi Zdravko Krivokapiç pritet të zgjidhet Kryeministër i ri i vendit.

Shumica parlamentare përbëhet nga tre koalicione: “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” i udhëhequr nga Zdravko Krivokapiç, që fitoi 27 vende, koalicioni “Paqja është kombi ynë” i udhëhequr nga Aleksa Beçiç, me dhjetë vende dhe koalicioni “E zeza mbi të bardhë” i udhëhequr Lëvizja Qytetare, Dritan Abazoviç me katër vende.

Tv Klan