E ftuar në programin “Historia ime”, në TV Klan ishte konsulentja e turizmit Gladiola Dona. Ajo u ndal tek masat e reja për zhvillimin e turizmit në kushtet aktuale.

Dona u shpreh se ndihet një lloj ankthi dhe pasigurie, si tek hotelierët ashtu edhe tek klientët. Përshtatja me kushtet e reja, është e vështirë edhe për faktin se ka një kosto të madhe financiare për hotelet.

Sipas saj, Ministria e Turizmit dhe Shëndetësisë ka çuar draftin tek strukturat hoteliere, por ende nuk është rënë dakord midis palëve.

Gladiola Dona: Në fakt ndihet një lloj ankthi dhe një lloj pasigurie dhe tek hotelierët, por edhe tek pjesa tjetër që janë klientët. Ministria e Turizmit dhe Shëndetësisë ka çuar draftin tek strukturat hoteliere, për ta parë dhe për të ardhur me sugjerimet e tyre. Me siguri do të ketë negocim sepse aty ka disa gjëra që mbase hotelierët do ta kenë të vështirë ta implementojnë. Por për momentin janë të pasigurt për çfarë po vjen, qoftë për nga pjesa se si do operohet, por edhe kush do na vijë, kush do konsumojë në hotelet tona.

Mirela Milori: Praktikisht sa e lehtë do jetë të ushtrohet turizëm?

Gladiola Dona: Është pikërisht ky drafti, që strukturat hoteliere akoma nuk kanë rënë dakord me të. Janë duke e riparë, duke parë se çfarë mund të implementojnë dhe çfarë është e vështirë për të implementuar. Absolutisht jo vetëm që është e vështirë për t’u implementuar, por ka dhe një kosto të madhe. Jo vetëm që ul kapacitetin sepse do ketë midis çadrave 3.5 metra largësi, bar-restorante 4 persona në 10 metra katrorë. Pra ul kapacitetin, por rrit edhe koston sepse ka udhëzime të tilla, që pranë dusheve në rërë të ketë për shembull dhe dezifektantë, shampo, që më përpara nuk ishin të pranishme. Pra ka një kosto të madhe financiare për hotelierët, por edhe ulje të kapacitetit, ndërkohë që ne presim që çmimet të mos rriten./tvklan.al