Kontenieri me drogë nuk ishte surprizë në Durrës

Kontenieri me drogë nuk ishte surprizë në Durrës

23:12 01/10/2019

Analisti: Flitej prej dy javësh, operacioni u dekonspirua

Lorenc Vangjeli zbuloi mbrëmjen e kësaj të marte në “Opinion” se operacioni i zhvilluar në portin e Durrësit, ku në kontenierin me banane që vinte nga Ekuadori u zbuluan 137 kilogramë kokainë, përflitej prej të paktën 2 javësh.

“Kishte të paktën 2 javë që në Durrës flitej që po bëhej një operacion dhe pritej të vinte një kontenier i ngarkuar me drogë. Kishte dy javë që lajmërohej ky lajm”.

Duke u ndalur tek fakti se përse pritësit e drogës e hapën pakon që kishin marrë nga kontenieri dhe zbuluan se brenda saj në fakt kishte oriz, Vangjeli tha:

“Është shumë normale dhe shumë logjike, këta njerëz që shkuan të merrnin kokainën dhe ta tërhiqnin, e provojnë në makinë se çfarë ishte. Sepse është normale, kështu ndodh, mjafton të shikosh vetëm një herë një film edhe e kupton kaq gjë, është kaq e thjeshtë. Nga momenti që kuptuan që bëhej fjalë për tjetër gjë dhe jo për kokainën e tyre, u kuptua që diçka nuk shkonte në këtë histori. Dhe tani ta marr prap këtë histori nga e kundërta, nuk janë kapur porositësit dhe financuesit, po është normale. Nuk do të shkojë ai që paguan, atë sasi prej disa miliona eurosh, nuk është ai që shkon dhe hyn atje”.

Pyetjes nëse operacioni u dekonspirua, analisti iu përgjigj me bindje se po. Ai tha se dyshimet janë që nga Pireu e deri tek porti i Durrësit.

“Po ka dekonspirim, dyshimet e para janë që nga Pireu dhe dyshimet e dyta janë gjithashtu edhe në port. Është e vërtetë që një operacion i tillë, që përfshin dy kontinente, një oqean në mes, shumë para, shumë infrastrukturë, shumë njerëz të interesuar për të, ka nevojë për pika takimi edhe në portin shqiptar. Që do të thotë, brenda në port, doganë, autoritetin portual, ka në mënyrë absolute bashkëpunëtorë në këtë linjë trafiku”.

Vangjeli shtroi edhe pyetjen se kush qëndron në skajin tjetër të këtij trafiku ndërkombëtar.

“Historia ka të bëjë me diçka tjetër, nëse ne flasim për këtë skaj të segmentit, po në skajin tjetër të segmentit, atje ku niset ngarkesa, nga origjina e saj”./tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT