Mes tyre dhe 7 punonjës policie, akuzohen dhe për pastrim parash

17 të dyshuarit për kontrabandë të mallrave dhe sendeve me vlerë do të kalojnë në sitën e SPAK edhe për burimin e krijimit të pasurive të tyre.  Burime nga SPAK bëjnë me dije se kanë nisur hetimet edhe për pasuritë në emër të personave të dyshuar dhe të të afërmve të tyre.

SPAK për 17 të dyshuarit ka ngritur në total për ta 12 akuza. Nga pastrimi i parave, kontrabanda e mallrave, korrupsion, shpërdorim detyre, grup i shtrukturauar kriminal etj.

Hetimi është kryer nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë franceze. Shumë qytetarë francezë kishin rënë pre e grabitjeve të bëra nga shtetas të huaj, mes tyre edhe shqiptarë. Pasi ranë në gjurmët e tyre autoritetet franceze kërkuan informacion në Shqipëri për personat e dyshuar.

Në këtë çështje janë përfshirë dy krupe kriminale të cilat i kishin të ndara detyrat. Grupi i parë merrej me grumbullimin e sendeve me vlerë dhe parave të paligjshme në një hotel në Francë dhe bënte nisjen e tyre drejt vendit tonë me anë të kompanive që merren me transport mallarash.

Ndërsa grupi i dytë i sillte në vendin tonë dhe kujdesej që të kalonin pa u zbuluar nga autoritetet dhe pa paguar detyrimet doganore. Ata kishin korruptuar edhe punonjës policie për këtë çështje.  Të dyshuar janë 7 efektivë nga radhët e uniformave blu.

Gjatë operacionit policia ka ekzekutuar 12 urdhërarreste nga17 në total.  Mes të ndaluarve është Sokol Idrizaj i cili ka qenë shofer i Ardi Veliut në kohën kur ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, bashkëshortja e tij Elda Idrizaj dhe dy vajzat e tyre. Ato janë lënë njëra nën masën arrest në shtëpi e tjetra detyrim paraqitje. 

Sipas SPAK, shuma në cash që ka ardhur në vendin tonë në mënyrë të paligjshme kap vlerën e mbi 2 milion euro dhe 35 mijë Franga. Ndërsa nga transaksionet bankare janë paguar rreth 725 mijë euro. Në mënyrë të paligjshme është tranportuar nga Franca rreth 3.4 kg flori.12 të ndaluarit do të përballen të Premten me Gjykatën e Posaçme për vlerësim të masave të sigurimit.  

Klan News