Zbardhet dokumenti i firmosur në 2016, me afat vlefshmërie 1 vit

Presidenti i Republikës Ilir Meta foli për përplasjet me rojet e godinës ku ndodheshin zyrat e Frymës së Re Demokratike pak ditë me parë. Ai ka deklarur se kontrata e FRD ishte e rregullt ligjërisht dhe ajo nuk ka zaptuar asnjë pronë publike. Meta thotë se çështja duhet të zgjidhet në gjykatë.

“Sipas kësaj marrëveshje Bashkia Tiranë,  ka marrë përsipër përmbushjen e detyrimit ligjor për të pajisur Frymën e Re Demokratike me Selinë Qëndrore dhe Zyrat Vendore, sipas ligjit. Pra Fryma e Re Demokratike, ka ushtruar dhe vijon të ushtrojë aktivitetin e saj publik dhe politik, që prej datës 23 Mars 2016 në këtë seli, pra prej 5 vitesh, përmes një marrëveshje ligjore dhe nuk ka zaptuar asnjë centimetër pronë publike, siç pretendonte akti i paligjshëm i Bashkisë Tiranë i datës 12 Mars 2021.”

Por Bashkia e Tiranës nga ana tjetër ka bërë publike kontratën e nënshkruar me FRD dhe kërkon lirimin e ndërtesës publike. Bazuar tek kontrata mes Bashkisë dhe kësaj force politike lidhur me 23 Mars 2016 në nenin 5 të saj thuhet se marrëveshja ka një afat vetëm 1 vjeçar, afat ky që është tejkaluar ligjërisht por ende bashkia nuk e ka marrë në përdorim edhe në vitin 2021 zyrat të cilat tashmë i cilëson të zaptuara në mënyrë arbitrate.

Veliaj pak ditë më parë tha se Bashkia e Tiranës për shkak të dëmtimit që shkaktoi tërmeti në disa mjedise të saj nuk mund të marrë hapësira me qira ndërkohë që ka ambientet e saj në pronësi siç janë edhe zyrat prej 200 metra katrorësh që mban sot FRD.

“Në momentin që  ra tërmeti dhe në bulevardin  Zogu i Parë ndërtesa 7-katëshe po përgatitet që të shembet se duhet ribërë nga e para edhe tek ndërtesa që kemi agjencinë e mbrojtjes së konsumatorit kemi pasur dëme por jo të nivelit për ta prishur. Lindi nevoja që të zbatojmë ligjin e partive politike i cili thotë që të gjitha partitë që nuk kanë një anëtar në parlament ose nuk kanë fituar një mandat ose 1 %, do të duhet të lirojnë ambientet publike të cilat qyteti dhe taksapaguesit nuk ka asnjë detyrim ti mbajë këto parti.”

Në përgjigje të Presidentit, kryeministri Rama u shpreh përmes një mesazhi në Twitter se “sa herë Ilir Meta del, flet, bërtet, shan, lajthit, aq herë e bën të qartë se zgjedhja e 25 Prillit është një zgjedhje mes Drejtësisë dhe Ilir Metës; çdo votë për LSI është një votë kundër Drejtësisë dhe çdo votë për PD është një votë për Ilirin e Saliun”.

Klan News