“S’ka amnisti po rrëzuat dekretin. Reforma në Drejtësi, e pasuksesshme”

Pak ditë pasi ktheu në Kuvend dekretin e ligjit që ndryshon marrëveshjen e koncensionit për Aeroportin “Nënë Tereza, Presidenti Ilir Meta i ka përcejellë Kuvendit argumentat e tij ligjorë.

Por këtë e shoqëroi edhe me paralajmërime të forta ndaj deputetëve nëse do ta rrëzojnë dekretin e tij.

“Lidhur me këtë sjelje të Kuvendit që nuk reflekton nga ana e kthimeve, e unë bëj detyrën time. Unë shpresoj të ketë reflektim pavarësisht se gjasat janë të pakta sepse jemi dhe në prag bërje listash edhe u premtohet të gjithëve për të qenë nëpër lista duke ngritur kartonin dhe duke ulur kokën për çështje që rëndojnë interesin publik. Për të gjitha çështjet këtu dokumentacioni është shumë i qartë, paralajmërimet janë bërë në mënyrë ligjore, tepër të mirëdokumentuar. Pas 25 Prillit çdo çështje do të ndiqet me rigorozitet të plotë, çdo dëm që i është bërë interesit publik”.

Duke thënë se ky ligj i mazhorancës është një provë flagrante e korrupsionit legjislativ dhe kapjes së shtetit, Presidenti shprehu sërish kritika ndaj Reformës në Drejtësi.

“Nëse do të kishim pasur Reformë në Drejtësi të suksesshme, kurrë s’do kishin guxuar të bënin këto gjëra dhe afera të tjera”.

Kreu i shtetit i kërkoi Kuvendit vënien para përgjegjësisë të çdo funksionari publik, që ka konsumuar shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit përgjatë procedurave të ndjekura, të vlerësimit të propozimeve, negociimit, e deri te hartimi, nënshkrimi i kontratës dhe miratimi i ligjit të marrëveshjes shtesë koncesionare, që sipas tij haptazi është në dëm të interesit publik, shtetëror dhe kombëtar.

Tv Klan