Pas 3 muajve Enti Rregullator i Energjisë ka kthyer më në fund përgjigje mbi çështjen e ngritur nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, nëse kompania e prodhimit të energjisë KESH ka rregullat në ankandet e zhvilluara për të favorizuar dy firma: një serbe dhe një shqiptare.

Objekti i kontrollit që kërkonte Sekretariati i Vjenës ishte çështja nëse KESH duhet të lidhte marrëveshje shit-blerje të energjisë elektrike me firmat private, të cilat e blinin energjinë në kohën e tepricave që kishte korporata, dhe e shisnin më pas në treg si dhe lidhjen e marrëveshjeve të depozitimit të energjisë.

Por këto akuza i ka hedhur poshtë Enti Rregullator i Energjisë i cili në një njoftim për mediat thotë se ka kryer monitorim të mënyrës së shit-blerjes së energjisë për vitin 2017 dhe të periudhës Janar – Mars 2018, ku ka rezultuar se të gjitha procedurat e ndjekura nga KESH kanë rezultuar në përputhje me rregulloret e miratuara nga vetë Enti.

Raportin e monitorimit dhe rezultatet e gjetura, Enti Rregullator ia ka vënë në dispozicion edhe Sekretariatit të Energjisë në Vjenë dhe Autoritetit të Konkurrencës në Shqipëri.

Disa muaj më parë kompania sllovene Gen-I u ankua pranë Sekretariatit të Energjisë në Vjenë duke pretenduar se KESH kishte zbuluar informacion në pjesëmarrësit e tjerë të garës, duke zbuluar ofertën e saj me qëllim përfitimin nga dy firmat GSA dhe EFT si dhe për moszbatim të rregullave të garës. Por edhe pse përgjigjja kishte shkuar pranë sekretariatit të energjisë, ERE nuk publikoi raportin e monitorimit, ndërsa pret miratimin e tij në një mbledhje bordi.

E gjithë kjo përplasje institucionale e cila shkoi deri në Vjenë, ka si rezultat luftën tregtare mes kompanive të cilat operojnë në tregun e energjisë. Shumë prej tyre kanë humbur përqindje të konsiderueshme të tregut dhe kërkojnë rikuperimin e humbjeve.

Tv Klan