Kreu i demokratëve Lulzim Basha është vënë sërish në qendër të akuzave nga selia rozë. Përmes një deklarate për mediat kryetari i grupit parlamentar socialisti, Taulant Balla i kërkoi të deklarojë burimin e parave për kontratën e lidhur me një kompani amerikane në prag të fushatës zgjedhore të 25 Qershorit si dhe i kërkoi KQZ-së që të mos bëjë asnjë regjistrim deklarimi shpenzimesh shtesë apo falsifikimi protokolli.

Taulant Balla: 

“Lulzim Basha duhet të përgjigjet menjëherë cili është burimi I atyre parave? Ku I ka gjetur PD dhe Lulzim Basha këto shuma parash , 1 milionë dollarë? Pse Lulzim Basha ka përdorur llogarite off- shore për të bërë pagesa në emër të PD-së? Cila është marrëdhënia mes PD-së dhe kompanisë “Biniatta Trade LP”, e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të paregjistruara në Belizë, një shtet U Amerikës Qendrore I njohur si parajsë fiskale?

Në kundërpërgjigje Partia Demokratike përmes një deklarate të shpërndarë e fton deputetin Balla që të hetojë në çdo kohë këto kontrata, të cilat ajo thotë se janë publike.

Kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane. Partia Demokratike u vë në dispozicion një kopje kur të duan.

Kontratat e lobimit të Partisë demokratike përpara zgjedhjeve të 25 Qershorit do të verifikohen edhe nga Prokuroria e Tiranës. Sipas investigimit të bërë nga rrjeti investigativ Birn transferta në shumën e 825 mijë dollarëve rezulton të jetë bërë nga një kompani e regjistruar në parajsa fiskale dhe se kjo pagesë nuk  është deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD-ja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Tv Klan