Marrëdhëniet e qeverisë me koncesionarin e Rinasit nuk kanë qenë në fazën e tyre më të mirë gjatë dy javëve të fundit, pas grabitjes në Aeroportin e Rinasit.

Por Televizioni Klan ka mësuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë një tjetër hap përpara për të përforcuar atë që vetë Ministrja Belinda Balluku deklaroi para disa ditësh, se nëse do të ishte e nevojshme, do të prishej në mënyrë të njëanshme kontrata me koncesionarin e Aeroportit.

Me anë të një shkrese nisur Avokaturës së Shtetit, Këshilli i Ministrave kërkon kontraktimin e një kompanie ligjore me eksperiencë dhe emër në arenën ndërkombëtare, për të dhënë konsulencë mbi kontratën që shteti ka lidhur me këtë firmë. Në kërkesën për ofertë që vetë Avokatura e Shtetit i ka bërë studiove ligjore, kërkon asistim në rishikimin, apo negocimin e një marrëveshje me firmën që ka operimin e Aeroportit të Tiranës.

Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se nëse negociatat nuk do të shkojnë si duhet, e nëse nuk do të bëhet një rishikim i kushteve të kontratës sipas kërkesave të bëra nga ana e shtetit shqiptar, po përgatitet terreni edhe për prishjen e kontratës me kompaninë Real Fortress, e cila në vitin 2016 bleu aksionet e pronarëve gjermanë të koncesionit.

Kompania Real Fortress rezulton e regjistruar në një shtet offshore, Singapori dhe është degë e China Everbright, firmë kineze e njohur në fushën e infrastrukturës aeroportuale.

Dy javë më parë, presidenti i China Everbright pati një takim në Tiranë me Ministren Balluku, e cila i ka kërkuar marrjen e masave shtesë për sigurinë e aeroportit, por ende nuk kanë kthyer një përgjigje nëse do t’i zbatojnë apo jo këto masa. Ndërsa në datën 19 Prill, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim ku ka prekur fondin rezervë të buxhetit të shtetit, për të marrë një firmë e cila do të këshillojë qeverinë për kontratën.

E kontaktuar nga Televizioni Klan, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk pranoi të komentojë këtë çështje.

Tv Klan