Pustina: Do mbështes fëmijët tuaj, për gjithë vitin 2020

“Ka një mesazh për ty”, ditën e sotme solli lumturi në disa prej familjeve të prekuara nga tërmeti i fuqishëm i 26 Nëntorit. Falë nismës “Sot unë dhe nesër ti” drejtoresha në Ministrinë e Arsimit, Linda Pustina ofroi mbështetjen e saj për secilin nga fëmijët me një kontribut mujor prej 4 mijë lekësh të reja, për gjithë vitin 2020, për familjen Mjeshtri në Sukth.

Banesa e tyre u dëmtua nga tërmeti dhe si pasojë ata janë duke banuar në një hotel në Golem. Familja përbëhet nga 8 anëtarë, 6 fëmijët dhe dy prindërit. Në studio, zonja Selvi ka treguar vështirësitë për të rritur fëmijët, për shkak se ata nuk kanë punë.

Linda Pustina: Unë do të doja që t’ju ndihmoja për vitin e ri, t’ju bëja një dhuratë për vitin e ri. Do mbështes të gjithë fëmijët tuaj, për gjithë vitin 2020, me një kontribut mujor prej 4 mijë lekësh të reja, për çdo fëmijë. Gjithashtu doja t’ju ofroja ndihmën time për çfarëdolloj gjëje, probleme madhore që ju do të keni. Pra do keni numrin tim dhe do mund të më drejtoheni për ato gjëra që nuk do mund t’i zgjidhni vetë. Për fëmijët tuaj, problemet që mund të kenë në shkollë, një sistemim të mundshëm që djemtë do dëshirojnë. Unë do bëj të pamundurën që t’ju gjendem afër për 2020, duke shpresuar se kjo dhuratë që po ju bëjmë për Vitin e Ri t’ju heqë sadopak dhimbjen, që keni përjetuar mbas tërmetit të Nëntorit.

Si pasojë e tërmetit, banesa e familjes Kuka në periferi të Laçit u dëmtua plotësisht dhe ata janë duke banuar në çadër. Kjo familje ka 4 fëmijë, por dy prej tyre janë më të vegjël dhe mjekja specializante në maternitetin “”Koço Glozheni”, Enxhi Vrapi, ka vendosur t’i mbështesë ata për vitin e ardhshëm.

Enxhi Vrapi: Kam zgjedhur që të kontribuoj për dy fëmijët tuaj, Julian dhe Mikaelën me një dhuratë të vogël për festat e fundvitit dhe me kontributin tim për 365 ditët në vijim, me një vlerë prej 4 mijë lekësh të reja në muaj për të dy fëmijët tuaj./tvklan.al