Rriten masat pas tensioneve me Iranin

Emigrantët nga vendet e Lindjes së Mesme, që hyjnë në vendin tonë, po i nënshtrohen një kontrolli të imtësishëm. Dyshimet se ata mund të jenë njerëz të regjimit iranian dhe mund të përdoren për sulme terroriste në vendin tonë pas tensioneve të rritura nga dëbimi i diplomatëve nga Tirana,  ka bërë që policia të rrisë kontrollet në kufi dhe po ashtu edhe kërkimet për çdonjërin prej emigrantëve që kapet, kryesisht në kufirin me Greqinë.

 “Janë marrë masa shtesë dhe kjo konstaton më shumë në kontrollin e shtetasve të cilët vijnë ngë këto vende, kontrollin e detajuar të dokumenteve për mospërdorimin e dokumenteve të falsifikuara, por edhe në intervistimin se ku do qëndrojnë, personat që  i presin dhe përse kanë zgjedhur Shqipërinë, për çdo person të dyshuar”, thotë drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.

Numri i emigrantëve që hyjnë në Shqipëri nuk ka ndryshuar. Ndërsa për kontrollin e tyre po bashkëpunohet edhe me vendet partnere.

“Jemi në të njejtin ritëm me një vit më parë, rreth 500 shtetas të huaj janë kapur nga 1 Janari, numri më i madh i tyre janë shtetas irakenë, sirianë dhe vendet e treta. Në momentin që kapen këta emigrantë, njoftohen qendrat operacionale kufitare, bëhet regjistrimi shkresor dhe më pas marrja e gjurmëve të gishtave. Në kuadër të bashkëpunimit me FRONTEX, ne tashmë kemi përkthyes. Për ata që duan azil u plotësohet kërkesa për azil. Ndërsa për ata që nuk pranojnë të identifikohen, u merren gjurmët e gishtave dhe bashkëpunojmë me policitë e shteteve të huaja dhe deri sa të merret konfirmimi për identifikimin e tyre, ata qëndrojnë të mbyllur në qendrën e mbyllur”.

Kufiri i gjelbër, Kapshtica dhe Kakavija mbeten dy nga rrugët më të përdorura nga emigrantët e paligjshëm. Policia i ka shtuar kontrollet, për shkak të kërcënimeve që kanë ardhur nga Teherani edhe për vendin tone, si pasojë e strehimit të mbi 3000 muxhahedinëve që janë kundërshtarë të regjimit iranian. Deri tani, Tirana ka dëbuar 4 diplomatë, të dyshuar se planifikonin sulme terroriste.

Tv Klan