Kontroll i zgjeruar për paratë e politikanëve

Kontroll i zgjeruar për paratë e politikanëve

15:40 21/01/2019

Qeveria është duke ashpërsuar masat ndaj personave, subjekteve tregtare dhe politikanëve që kanë për qëllim pastrimin e parave të pista.

Burime konfidenciale për televizionin Klan bëjnë me dije se disa javë më parë është mbledhur Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave, i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama dhe i ka lënë detyrë Ministrisë së Financave që të bëjë ndërhyrje në disa ligje, duke nisur me ligjin bazë të “parandalimit të pastrimit të parave”.

Në draftin mbi të cilin është duke punuar stafi teknik i Ministrisë, do të synohet të rritet ndjeshëm numri i viteve të vigjilencës së zgjeruar që Agjencia e Inteligjencës e Monitorimit të Parave të Pista dhe subjektet që raportojnë atje, do të kenë mbi personat e ekspozuar politikisht, në lëvizjet dhe kontrollin e pasurisë së tyre.

Ky nen përfshin të gjithë zyrtarët e lartë dhe politikanët që janë subjekt i ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive. Aktualisht monitorimi i lëvizjeve financiare të tyre bëhet vetëm 1 vit pas lënies së detyrës.

Pika e dytë mbi të cilën po punohet lidhet me masat ndëshkimore ndaj subjeketeve raportuese të rasteve të dyshimta të pastrimit të parave. Drafti i ri synon dyfishimin e gjobave ekzistuese ndaj bankave të nivelit të dytë, nga 5 milionë Lekë të rinj që është sot kjo masë.

Për herë të parë ligji do t’i japë mundësi autoriteteve në kufi, që të sekuestrojnë një nivel të caktuar të parasë “cash” në momentin që nuk deklarohet nga personi që ka sasinë e parave me vete, edhe nëse pas verifikimeve rezulton se nuk ka lidhje me pastrimin e tyre apo financimin e terrorizmit.

Masat po merren pas rekomandimeve që la organi i monitorimit të Këshillit të Europës, “Monyeval” në raportin për Shqipërinë që publikoi në fund të 2018-s.

Shqipëria në këtë raport kishte bërë hapa para në disa fusha, duke lënë pas Serbinë dhe Hungarinë, por është nën monitorim për çështje të tjera të cilat lidhen me efektivitetin e sistemit të drejtësisë.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT