Patrullat e policisë dhe ushtrisë në të gjithë Shqipërinë

Patrullat e Policisë, të shoqëruara nga ushtarë të armatosur janë vendosur në pikat kyçe në dalje të Elbasanit, që lidhin qytetin me Tiranën, Durrësin apo Korçën. Edhe brenda në qytet, patrullat janë kudo, nëpër lokale, bare dhe ambiente publike. Ndryshe nga disa ditë më parë, klientët janë më të paktë. Qytetaret janë ndërgjegjësuar se duhet të qëndrojnë më shumë në shtëpi.

Ushtria dhe policia, të pajisur me maska dhe me regjistrin e personave që kanë hyrë në Shqipëri ditët e fundit, janë prezentë edhe në Lushnje dhe Fier. Teksa vijon dezinfektimi në rrugët dhe ambientet publike vihet re një rënie e prezencës së qytetarëve nëpër kafene e lulishte.

Në qytetin e Durrësit masat janë më drastike. Baret, restorantet si dhe biznese të ndryshme kanë mbyllur aktivitetin. Policia vendore dhe ushtria zhvillojnë kontrolle për të parë nëse masat po zbatohen dhe monitorojnë të gjithë  automjetet me targa të huaja. Durrësi, njësoj si Tirana do të përfshihet nga masat ekstreme për gjatë ditëve në vazhdim.

Tv Klan