Iniciativa ligjore pas tërmetit të 21 Shtatorit

Të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, do i nënshtrohen procesit të kontrollit teknik. Sipas një pr/ligji të depozituar në Kuvend, kontrolli do të kryhet për të gjitha ndërtimet publike ose jo publike që kanë një vlerë të paktën 10 milionë lekë, por edhe objektet me akses publik, si kopshte, çerdhe, shkolla, teatër dhe muze.

“Që në vitin 2014 ne kemi kërkuar që të gjitha objektet e vjetra duhet t’i shikohet performanca dhe të gjithë vendet e botës e kanë këtë dhe i nxjerrin njerëzit edhe nga banesa kur kanë problematikë derisa ato vijnë në parametrat që kërkohen nga kushtet teknike. Oponenca teknike është kontrolli teknik mbi kushtet teknike të kontrollit të objekteve”.

Por çfarë përfshin ky kontroll dhe çfarë do të ndodhë me ato objekte të cilat nuk përmbushin komponentët teknikë?

“Hapi tjetër, këto banesa do të klasifikohen sipas kushteve teknike në vend. Banesat që kanë performancë të dobët do të kërkohet riparimi i tyre. Këto tre kategori objektesh, pasi të kontrollohen do t’u vihen në dorë enteve vendore dhe mbi bazën e ligjeve që ekzistojnë në fuqi, ata kanë kompetencat e tyre se çfarë do të kryhet me të, do të riparohet, çmontohet dhe në këtë aspekt janë ata që do të kenë vendimmarrjen”.

Kontrollit teknik nuk do i shpëtojnë edhe objektet e reja.

“Çdo objekt ka jetëgjatësinë e vet dhe në këtë jetëgjatësi objekti është mbi mesataren e jetës së vet dhe duke parë në këtë drejtim që duhet bërë një check-up për këto lloj objektesh duhet të kontrollohen. Më të riskuarat janë ato objekte më të vjetra, por nuk do të thotë që një objekt që mund të jetë më i ri nuk do të kontrollohet. Do kontrollohen dhe të rinjtë”.

Kjo nismë u ndërmor pas të situatës të krijuar nga dëmtimet që shkaktoi tërmeti i 21 Shtatorit në disa qytete të vendit dhe nevojës së menjëhershme për ndërtimin e riparimin e ndërtesave të dëmtuara. Vetëm në Tiranë numërohen mbi 1700 pallate të ndërtuara përpara viteve ’90.

Tv Klan