Denaj: Denonconi bizneset që shkelin ligjin

Strukturat e Hetimit Tatimor janë duke kryer kontrolle intensive në zonat turistike duke u fokusuar te hotelet dhe restorantet. Inspektorët po marrin informacione nga platforma e booking për të vërtetuar nëse një subjekt merr të ardhura nga qiradhënia dhe nuk paguan taksa, si dhe po kryhen kontrolle të imtësishme lidhur me çmimin e qirasë që deklarohet dhe sasinë e dhomave që jepen për pushuesit.

Ministrja: Po dhomat i kontrolloni në raport me vendosjen e një transparence me listën e çmimeve dhe atë të reflektuar te kuponi?

Inspektori: Po, po. Dhomat jo që kontrollohen me listën e çmimeve, po kontrollohen dhe deklarimet. Subjekti mund të thotë që kam pesë dhoma të zëna, kontrollohen dhomat e lira, nëse janë vërtetë të lira apo jo.”

Ministrja e Financave Anila Denaj u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet kur bizneset nuk u lëshojnë faturë tatimore, ndërsa njoftoi se kanë nisur kontrollet e hoteleve edhe gjatë natës.

 “Kërkojmë që bizneset në të gjithë sektorët edhe të hotelerisë dhe të turizmit në aspektin e restoranteve dhe bareve, të kenë mundësi të respektojnë ligjin 100%. Njëkohësisht është kërkuar që të inspektohet edhe gjatë natës”.

Në zonën e Himarës u penalizuan disa restorante të cilat nuk lëshonin kupon dhe vendosnin çmime të ndryshme në faturën që u lëshonin klientëve, nga ajo që deklaronin te lista e çmimeve.

Tv Klan