Drejtoresha e Tatimeve nga Durrësi: Të ndërgjegjësohen subjektet private

Nuk do të ketë ndëshkim të subjekteve të hoteleri-turizmit që nuk zbatojnë legjislacionin tatimor. Autoritetet tatimore kërkojnë bashkëpunim dhe ndërgjegjësim të bizneseve të këtij sektori. Gjatë një takimi me ta në qytetin e Durrësit, Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, e cila deklaroi se gjysma e subjekteve nuk kanë shtypur fare kupon tatimor gjatë muajit Maj.

“Synojmë që zbatimin e legjislacionit ta bëjmë duke komunikuar më mirë me ju, duke ju bërë me dije problematikat që ne shohim për biznese të huaja dhe duke u munduar që të kemi një qasje ndërgjegjësuese dhe suportuese dhe nëse nuk shohim bashkëpunim, të kemi më pas një qasje penalizuese”, është shprehur Delina Ibrahimaj.

E pranishme në takim kryetarja e bashkisë Emirjana Sako deklaroi se pushteti vendor në Durrës po lidh kontratat me subjektet që aplikojnë për plazhe private.

“Qytetarët do të kenë 20%-shin që ka ligji dhe 80% do të jetë në predispozicion për t’u dhënë me qira për subjekte të cilat do të jenë të interesuar”, është shprehur Emirjana Sako.

Zyrtarët e tatimeve thonë se subjektet që abuzojnë do të monitorohen në vazhdimësi dhe nëse nuk reagojnë do të fillojnë kontrollet në terren.

Klan News