Tatimet: Punonjësit mund të denoncojnë, garantojmë konfidencialitet

Fokusi i kontrolleve të adminsitratës tatimore është përqëndruar te ndërmarrjet që japin paga të larta, por nuk deklarojnë vlerën reale të tyre.

Në një intervistë për televizionin Klan, shefi i sektorit të riskut në drejtorinë e Tatimeve sqaron se fshehja e deklarimit real të pagës penalizon punonjësin, pasi ai do të sigurojë një pension më të ulët në të ardhmen, por dhe buxhetin e shtetit pasi paguhet tatim më i ulët.

Drejtoritë tatimore në të gjithë vendin kanë dërguar një letër të personalizuar për të gjithë punëmarrësit, e cila u sqaron atyre penalitetet që kanë nëse deklarojnë paga të ulta. Një letër e ngjashme u është dërguar edhe punonjësve, por deri tani nuk ka ardhur asnjë denoncim. Administrata tatimore bën thirrje që çdokush të denoncojë pasi i ofrohet kofidencialitet i plotë.

Profesionet të cilat dyshohet se fshehin pagat reale janë ato të administratorëve, juristëve, inxhinierëve, arkitektëve, ekonomistëve dhe guzhinierëve. Letrat u janë dërguar ndërmarrjeve që pagujanë profesione të tilla, në mënyrë të dukshme më pak se paga mesatare e atij profesioni. Llogaritet se janë 7200 biznese që nëndeklarojnë pagat, duke prekur 13 400 të punësuar.

TvKlan