BMP: Të raportojnë saktë sepse kontrollet do të vazhdojnë

Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka mbyllur një proces të gjatë kontrolli te zyrat dhe individët që ushtrojnë profesionin e kontabilistit dhe audituesit ligjor.

Deri më sot çdokush që kishte një diplomë në financë mund të ofronte këtë shërbim, ndërsa tashmë lejohen vetëm 309 persona dhe 40 shoqëri kontabiliteti të cilët kanë marrë titullin “kontabilist i miratuar” duke dhënë provimet shtetërore.

“Kemi krijuar një regjistër për të gjithë ata që lejohet të ushtrojnë këtë profesion dhe që kanë titullin kontabilist i miratuar ose auditues ligjor”.

Kontrollet janë përqëndruar edhe te audituesit që certifikojnë bilancet e kompanive të mëdha. Drejtori i Bordit të Mbikëqyjres Publike thotë se shkeljet janë të shumta, ndërsa janë marrë edhe ndëshkime ndaj tyre por jo në masa drastike, për t’u dhënë mundësi të korrigjojnë veten.

“Shkeljet më të dukshme janë te kompanitë e mëdha, ku vetë ligji thotë se duhen 2 auditues për të certifikuar bilancet dhe marrin 1”.

Por përse është e rëndësishme që bilancet të auditohen në mënyrë të saktë?

“Për ekonominë është e rëndësishme sepse me një bilanc të saktë vetë bankat japin kredi mbi të dhëna reale, po ashtu ndihmon në luftën ndaj evazionit nëse puna e tyre është e saktë”.

Audituesi ligjor dhe kontabilisti është hallka e parë që ndihmon biznesin për të shmangur pagesën e taksave, por edhe për të ndihmuar në pastrimin e parave.

Puna e nisur nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike po mbështetet edhe nga Bashkimi Europian.

Tv Klan