Policia arreston një 30 vjeçar që nuk ka lidhje me ngjarjen e Fierit

Kontrollet e zhvilluara në Kurbin për të gjetur autorët e dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier, çojnë në pranga një 30 vjeçar por që nuk ka lidhje me ngjarjen e 1 Shkurtit.

 Ai është vënë në pranga pasi gjatë kontrollit i është gjetur një pistoletë “GLOCK” dhe një krehër me 16 fishekë. Po ashtu u sekuestruan edhe targa të vjedhura që sipas policisë dyshohet se do të përdoreshin për të kryer ngjarje kriminale. Veç të riut, janë shoqëruar për verifikim edhe 5 persona të tjerë. Policia njofton se kontrollet e Reneas janë zhvilluar në Milot, Kurbin e Lezhë në lokale e ambjente të tjera. 

Aksioni i forcave Renea kishte si qëllim kapjen e ekzekutorëve të dyshuar të 42 vjeçarit në Fier pasi uniformat blu dyshojnë se 2 nga 4 të shpallur në kërkim për vrasjen ndodhen në Shqipëri ndërsa të tjerët janë larguar jashtë vendit, fillimisht drejt Kosovës e më pas në shtete të tjera europiane.

Të shpallur në kërkim për vrasjen e Shkëlzen Kastratit janë Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara.

Klan News