Policia e Shtetit thotë se gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e 3 gjyqtarëve, të cilët ulën dënimin për Dritan Dajtin janë gjetur municione, mijëra euro, si dhe prova të tjera.

Duke iu përgjigjur interesit të medias, në një deklaratë sqarohet se kontrollet vijojnë dhe në përfundim të tyre do të ketë një informacion më të detajuar.

“Duke iu përgjigjur interesimit shumë të madh të medias, Policia e Shtetit konfirmon aksionin e ndërmarrë nga forcat speciale, në zbatim të urdhrit nr. 89, datë 14 shkurt 2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për të ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve, të cilët zbutën dënimin e Dritan Dajtit. Operacioni policor vazhdon edhe në këto momente, por mund të konfirmojmë se deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese.  Në përfundim të operacionit, Policia e Shtetit thotë se do të ketë një komunikim të veçantë me median dhe publikun”,

thuhet në njoftimin për mediat.

Forcat speciale të policisë ndërmorën një aksion blic gjatë orëve të natës në 5 banesa, në Tiranë, Vlorë e Sarandë, pas kërkesës së prokurorisë, të miratuar nga gjykata.

Kontrollet u ushtruan në shtëpitë e gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, të cilët pranuan gjykimin e shkurtuar, duke bërë që Dritan Dajti t’i shpëtojë dënimit me burg të përjetshëm.

Ndërkohë, gjatë orëve të paradites në ambientet e policisë së Tiranës u shoqëruar gjyqtari Skënder Damini, i cili po merret në pyetje. Burime për ABC News thonë se municionet u gjetën pikërisht në shtëpinë e këtij të fundit.

/tvklan.al