Presidenti Ilir Meta ishte në Pogradec këtë të hënë, ku pati një prononcim të shkurtër për mediat. Kreu i shteti u pyet në lidhje me grevën e kontrollorëve të trafikut ajror dhe akuzave të Ramës se pas kësaj fshihet Meta. Por presidenti deklaroi se akuzat e Ramës janë çmenduri, ndërsa tha se vetëm “një i marrë mund t’i thotë”.

Edi Rama ka hedhur akuza ndaj jush duke u shprehur se ju qëndroni pas grevës së kontrollorëve të Rinasit. Çfarë mund të thoni?

Ilir Meta: Nuk jam këtu për t’u marrë me marrëzitë e një njeriu të certifikuar prej kohësh, për çrregullimet e tij. Këto janë çmenduri që vetëm një i marrë mund t’i thotë. Ashtu sikundër çmenduritë që ka përhapur vetën në lajme sikur ushtria kishte marrë kullën e kontrollit me qëllim provokimin e një imazhi të papranueshëm për vendin. Shqiptarët kanë duruar 8 vjet marrëzi të tilla. Do të durojnë marrëzi të tilla me intensitet të lartë edhe në ditët në vijim, por fundi i marrëzisë është 25 Prilli. Çdo gjë mund të bëhet kurban në Shqipëri, por demokracia kurrë nuk mund të bëhet kurban. 25 Prilli është dita e triumfit, e demokracisë për Shqipërinë dhe mbi të gjitha është dita e triumfit të vajzave dhe djemve të rinj patriotë që nuk kanë ikur nga Shqipëria, por luftojnë që të kthejnë bashkëmoshatarët këtu.

Vlora duket se është më e nxehtë. Çfarë po ndodh aty?

Ilir Meta: Vlora u provokua mjaft rëndë me bisedë gjoja telefonike, me shaka pa kripë ku po porositej njeriu që duhej të ishte në burg për shkak të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër që t’i bënte një tërmet Vlorës. Për t’i bërë tërmet Vlorës kanë gjetur një bandit si Afrim Qendro që ka dy vjet që duhet të ishte në burg për çështjen e Astirit. Kjo gjë është e pamundur të ndodhë sepse Vlora ia ka bërë gjithmonë fora dhe Vlora është më e lënduara për ato gjëra të rënda që ka parë. Zotëria të jetë i sigurtë se Vlora ia ka bërë dhomën gati. Ka personel të përshtatshëm me përvojë mjekësore për të trajtuar njerëzit me çrregullime mendore, aq më tepër ai është i certifikuar. Për tërmetin e Dibrës që do të përsërisë në Vlorë dhe për banditin e Astirit që e kanë çuar në Vlorë për të vjedhur pronat e vlonjatëve ata e kuptojnë që nuk mund të shkojnë në spitalin psikiatrik të Vlorës, ata vendin e kanë diku tjetër. Përgjigjen do ta marrin në sheshin e Flamurit. Më 25 Prill do ta shikoni, në Vlorë, atje do të jem, sepse Vlora është vendi i momenteve historike të Shqipërisë. Është qendra e shpërthimit dhe zemërimit mbarëpopullor ndaj pushtuesve. /tvklan.al