Studentet e Inxhinierisë dhe Sporteve u ankuan në “Stop” për konviktin, pasi nuk gjejnë vende për të banuar siç u takon. Edhe pse kanë qenë më parë me dhoma, kur shkuan për të rinovuar kontratën iu thanë se vendet janë zënë.

“Unë kam 2 javë që kam bërë një kërkesë që të qëndroj te ky konvikt. Më thonë që nuk ka vende”,

u shpreh një studente.

Vajzat treguan se në konvikte strehohen edhe të punësuara, duke mos i dhënë përparësi studenteve të Inxhinierisë dhe Sporteve.

Një tjetër studente tha:

“Unë kam 5 vite aty dhe po më nxjerrin jashtë. Ne kemi disa të drejta dhe nuk mund të na nxjerrin kështu”.

Madje një prej studenteve regjistroi me zë një vajzë tjetër, që mundi të siguronte dhome në konvikt vetëm duke dhënë para.

Vajza 1 – Ça bëre për konviktin, o goc?

Vajza 2 –

U regjistrova!

Vajza 1 – Mbarove punë?

Vajza 2 –

Mbarova!

Vajza 1 – Po, si u regjistrove?

Vajza 2

Me lekë!

Vajza 1 – Me lekë?

Vajza 2 –

Po, mi!

Një studente e Universitet të Arteve shtoi:

“Me lekët që kam paguar jam brenda Shtatorit dhe në datën 30 duhet të liroj dhomën. Unë rinovova kontratën dhe më thonë që dhoma ime është e zënë. Si është zënë dhoma kur unë jam brenda akoma?!”

Studentet kërkuan takim me drejtoreshën, pasi sipas tyre, nuk i njohin as fytyrën.

E ëma e një prej studenteve e shqetësuar tha:

“Unë kam ardhur kastile për të regjistruar vajzën, ata na kanë livadhisur. Të tallen me ne se jemi hallexhinj dhe s’kemi të ardhura?”

Në një përballje mes tyre dhe përfaqësuesit të Drejtorisë së Konvikteve, ky i fundit tha se kapaciteti prej 540 personash është plotësuar.

“Regjistrimet kanë filluar në datën 24. Normalisht ne jemi me dy godina funksionale, pasi dy të tjera janë në rikonstruksion. Kemi përmushur të gjitha kapacitetet e nevojshme për të mbajtur studentet e Inxhinierisë”,

u shpreh ai.

I pyetur nga gazetarja nëse ka studente të universiteteve të tjera, përfaqësuesi i konviktit tha që primare janë studentet e universiteteve që janë pranë konviktit.

Ndërsa pretendimit të një studenteje që ka në dhomë një vajzë që nuk është më studente, ai iu përgjigj:

“Do të shqyrtohen. Nuk e di për këto raste”.

Pra studentet do të ngelen rrugëve, derisa konvikti të shqyrtojë kontratat që ka lidhur me persona që nuk janë më studentë./

tvklan.al