Në vijim të kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në territorin e fshatit Kuç, një person posedonte në banesë lëndë narkotike, si dhe kishte kultivuar bimë narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Koordinata”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i H. K., 52 vjeç, banues në fshatin Kuç, Himarë.

Si rezultat i këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 48 kilogramë lëndë të dyshuar kanabis sativa.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar përreth banesës së tij, shërbimet e Policisë evidentuan dhe asgjësuan disa bimë narkotike të cilat dyshohet se i ka kultivuar ky shtetas.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”./tvklan.al