Loja dhe pika e marrë në sfidën me Young Boys e ka shtuar bindjen tek Ilir Daja se Skënderbeu mund të shkojë më tej në Europa League. Ekipi shqiptar barazoi 1 – 1 me atë zivceran në Elbasan në një sfidë që edhe mund ta kishte fituar.

“Në pjesën më të madhe të 90 minutëshit kemi qenë superior ndaj kundërshtarit të fortë. Do ta syojmë vendin e dytë, pasi po të shohim nuk kemi diferenca të mëdha me kundërshtarët edhe pse janë më të organizuar në të gjithë drejtimet.”

Në këtë ndeshje me shumë raste për gol fillimisht shënoi Sowe i ndihmuar nga pasimi perfekt i Muzakës. Lojtarët e Skënderbeut pak më vonë e pësuan, pasi u befasuan nga një kundërsulm i Young Boys. Trajneri i ekipit zviceran, Adolf Hutter është i mendimit se ekipet morën atë që dhanë në fushë.

“Skënderbeu mendoj se bëri një lojë të mirë, por ne nuk kishim formacionin më të mirë. Mendoj se pikën e merituan të dy skuadrat.”

Ilir Daja edhe pse tregohet i rezervuar mendon se ekipi i tij u penalizua nga gjykimi.

“Disa situata që duhen analizuar, pasi mund të kemi pretendime për ndonjë 11-metërsh.”

Ky barazim e mban Skënderbeun në fundin e renditjes por ka shpresë, pasi vendi i dytë është vetëm 1 pikë larg. Dinamo e Kievit fitoi 3 – 2 me përmbysje me Partizanin e Beogradit dhe udhëheq Grupin B në kuotën e 6 pikëve. Sfida e radhës e Skënderbeut do të jetë më 19 Tetor ndaj Partizanit të Beogradit po në Elbasan Arena. /Tv Klan