Sot studentët e Korçës marshojnë të heshtur dhe do të jenë në pritje të informacioneve që dalin nga protesta e studentëve të Tiranës.

Protesta e studentëve të Universitetit “Fan Noli’ në Korçë ka nisur që në orën 08:30. Protestës i janë bashkuar edhe tre shkolla të mesme.

Gjimnazistët kanë bojkotuar mësimin dhe janë bashkuar me më të rriturit në tubimin që është shpërndarë nga oborri i universitetit në të gjithë qytetin.

Studentët e Gjirokastrës kanë dalë sërish në protestë. Ata janë grupuar para godinës së universitetit dhe kërkojnë që edhe të tjerët të bashkohen me ta. Ndërkohë, Rektori Baktash Mema tha për ABC News se një ditë më parë studentët i kanë bërë disa kërkesa universitetit. Sipas Memës këto kërkesa do të merren parasysh dhe do të planifikohet një fond për ndërhyrjet në ngrohje, për bazën materiale, për tekstet shkollore, për bibliotekë.

E ndërsa, në qytetin e Beratit janë gjimnazistët që protestojnë prej ditësh. Ata kanë braktisur mësimin për t’u solidarizuar me studentët në të gjithë vendin. Nxënësit thanë se do të ishin më shumë në numër, por mësuesit i kanë penguar. Ndërkohë në të gjitha shkollat në Berat orët e mësimit kanë qenë të reduktuara për shkak të motit të ftohtë.

/abcnews.al