Vritet me thikë 60-vjeçari në Maliq





Vritet me thikë 60-vjeçari në Maliq

22:03 08/08/2022

Shkak një sherr për motive të dobëta

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Maliq të Korçës. Një qytetar ka ndërruar jetë në spital pasi ka marrë një goditje me thikë. Viktima është dërguar në gjendje të rëndë në spital, aty ku ka ndërruar jetë pas plagëve të marra. Vrasja ka ndodhur në Rëmbec të Maliqit.

Korrespondentja e Klan News në Korçë, Daniela Zisi raporton se viktima është Nesti Sotir, 60 vjeç ndërsa autori i dyshuar i krimit Velo Hazisllari. Mësohet se autori i dyshuar gjithashtu ka marrë plagë dhe ndodhet në spitalin e Korçës ku është arrestuar nga policia.

Sipas informacioneve paraprake, viktima dhe autori i dyshuar i ngjarjes janë të dy fermerë.

Dyshohet që vrasja të këtë ndodhur për motive të dobëta. Viktima dhe autori i dyshuar janë fqinj. Mësohet se mes tyre ka pasur konflikte të vjetra. Këtë mbrëmje ata janë konfliktuar sërish dhe sherri ka degraduar deri në përdorimin e thikës gjë që i ka marrë jetën njërit prej tyre.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 08.08.2022, rreth orës 21:40, jemi njoftuar se në fshatin Rëmbec, Maliq, gjatë një konfliti për motive të dobëta, ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi N. S., i cili pasi mbërriti në Spitalin e Korçës, ka ndërruar jetë.

Menjëherë pas marrjes të njoftimit, shërbimet e policisë janë nisur drejt vendngjarjes ku bënë të mundur edhe identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi V. H., që për shkak të dëmtimeve të marra, ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Korçës, me të cilin do të kryen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al













Të ngjashme