Koreja e Veriut ka urdhëruar një izolim të rreptë kombëtar pasi ka konfirmuar rastet e saj të para zyrtare me Covid. Mediat shtetërore kanë raportuar një shpërthim të variantit Omicron në kryeqytetin Phenian, por nuk kanë deklaruar numrin e rasteve.

Sipas agjencisë së lajmeve KCNA, udhëheqësi Kim Jong-un është zotuar që të “çrrënjosë” shpërthimin e rasteve, të cilin e quajti një emergjencë të rëndë kombëtare. Ekspertët besojnë se virusi Covid-19 ka qenë prej kohësh i pranishëm në vend.

Të huajt kanë deklaruar se popullsia 25 milionëshe e vendit është e rrezikuar nga koronavirusi pasi Koreja e Veriut ka refuzuar të administrojë një program vaksinash Covid-19, madje duke refuzuar ofertat nga komuniteti ndërkombëtar për të furnizuar miliona AstraZeneca dhe Sinovac të prodhuara në Kinë vitin e kaluar. Po ashtu, ka pasur shqetësime për sistemin e varfër të kujdesit shëndetësor të Koresë së Veriut.

Mënyra kryesore e Koresë së Veriut për të luftuar Covid-in ka qenë mbyllja e kufijve të saj të jashtëm, ishte një nga vendet e para që e bëri këtë, në Janar 2020. Media e Koresë së Veriut shtoi se rasti i parë i variantit Omicron ishte zbuluar në kryeqytet katër ditë më parë.

Për më shumë se dy vjet, Koreja e Veriut, në mënyrë të dyshimtë, ka pretenduar se nuk ka asnjë rast të vetëm të Covid-19. Pra, lind pyetja, pse zgjodhi ta pranojë një gjë të tillë pikërisht tani?

BBC News shkruan se më shumë mundësi kjo ka ardhur sepse ky shpërthim është shumë serioz dhe shumë i vështirë për t’u fshehur.

Koreja e Veriut ka qenë e qëndrueshme në angazhimin e saj publik për të luftuar virusin. Kështu e ka justifikuar mbylljen e kufijve për kaq shumë kohë. Tani që Omicron ka hyrë në vend, sfida është të kufizohet përhapja e tij./tvklan.al