Koreja e Veriut kritikon qasjen e re të Biden



Koreja e Veriut kritikon qasjen e re të Biden

09:30 03/05/2021

Koreja e Veriut kritikoi Presidentin amerikan Joe Biden, duke paralajmëruar se ShBA do të përballet me “një situatë shumë të rëndë”, pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi planin për diplomaci me Penianin.

Deklarata e lëshuar të dielën nga një diplomat i lartë i Koresë së Veriut, ishte reagimi i parë zyrtar i këtij vendi ndaj rishikimit të politikave për Korenë e Veriut të administratës Biden, duke shprehur gatishmëri për bisedime me vendin që zotëron armë bërthamore.

Kwon Jong Gun, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Çështjeve me ShBA në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Veriut, e cilësoi qasjen amerikane si “një tabelë false për të mbuluar aktet e saj armiqësore” kundër Republikës Popullore Demokratike të Koresë, që është emri zyrtar i vendit.

“Tani që… thelbi i politikës së re të ShBA-së për Republikën Popullore Demokratike të Koresë është bërë i qartë, ne jemi të detyruar të ndjekim masa përkatëse dhe me kalimin e kohës ShBA do të gjendet në një situatë shumë të rëndë”, tha Kwon, njoftoi Agjencia Qendrore e Lajmeve Koreane.

“Në të ardhmen e afërt Shtetet e Bashkaura do të përballen me një krizë gjithnjë e më të madhe dhe të pakontrollueshme nëse vendosin ta trajtojnë marrëdhënien mes dy vendeve, duke mbajtur në fuqi politikën e vjetëruar nga Lufta e Ftohtë”, shtoi ai.

Rruga e mesme

Pas rishikimit të brendshëm disa mujor, Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten përmbledhjen e përgjithshme të planit të saj për Korenë e Veriut. Politika përpiqet të gjejë një qasje të mesme mes politikave të paraardhësve dhe Presidentit aktual Joe Biden.

“Politika jonë nuk do të përqëndrohet në arritjen e një ujdie të madhe, as nuk do të mbështetet tek durimi strategjik”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Politika jonë kërkon qasje të kalibruar, një qasje praktike dhe të hapur në kërkim të diplomacisë me DPRK-në drejt arritjes së përparimit praktik që rrit sigurinë e Shteteve të Bashkuara, aleatëve tanë dbe forcave të dislokuara”, shtoi ajo.

Koreja e Veriut ka bojkotuar bisedimet me Shtetet e Bashkuara që nga viti 2019. Në shkurt të vitit të kaluar, një takim mes ish-Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përfundoi papritur pasi zoti Trump refuzoi ofertën e udhëheqësit Kim Jong Un për lehtësimin e sanksioneve në këmbim të hapave të pjesshme drejt braktisjes së programit bërthamor.

Presidenti Biden, i cili mori detyrën në janar, ishte prej kohësh kritik ndaj takimeve të zotit Trump me Kim Jong Un. Ai beson se takimet e nivelit të lartë duhet të ndodhin vetëm nëse ka përparim në largimin e Koresë së Veriut nga programi bërthamor.

Por zoti Biden po përpiqet gjithashtu të distancohet nga qasja e ndjekur nga ish Presidenti Barack Obama, i cili mbështetej në një politikë të “durimit strategjik”. Ky plan synonte zbatimin e presionit të kalibruar ekonomik dhe ushtarak derisa Peniani të ishte gati të bënte lëshime në tryezën e negociatave.

Të drejtat e njeriut

Koreja e Veriut nuk është e kënaqur me asnjërën nga qasjet. Në deklaratat e tyre të së dielës, zyrtarët e Koresë së Veriut kritikuan stëvitjet e përbashkëta ushtarake të ShBA-së dhe Koresë së Jugut. Pheniani akuzoi administratën Biden për “fyerje të dinjitetit të udhëheqjes supreme”.

Javën që shkoi, Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë ku thoshte se “miliona koreano-veriorëve u shkelet dinjiteti dhe të drejtat nga një prej shteteve më shtypëse dhe totalitare në botë”.

Në kundërpërgjigje, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut tha të dielën se Peniani “detyrohet të ndërmarrë masa përkatëse”.

“Ne i kemi paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do të lëndohen nëse na provokojnë. ShBA me siguri se do të pendohet sepse vepruan pa u menduar mirë, duke sfiduar paralajmërimet tona”, tha zyrtari.

Prova të tjera në të ardhmen?

Në mars Koreja e Veriut bëri provën e parë të raketave balistike në rreth një vit. Shumë ekspertë prisnin që Koreja e Veriut të rifillonte testet afër fillimit të mandatit të zotit Biden, siç kishte vepruar edhe me administratat e kaluara amerikane.

Kim Jong Un tha në janar të vitit të shkuar se nuk ndjehet i detyruar të respktojë moratoriumit që ia kishte caktuar vetes për provat e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe testeve bërthamore.

Peniani nuk ka kryer prova bërthamore dhe nuk ka lëshuar raketa balistike ndërkontinentale që nga viti 2017, para takimit Kim-Trump./VOA







Të ngjashme