Shteti komunist i Koresë së Veriut thotë se ka kaluar një provë shumë të rëndësishme në një vend të lëshimit satelitor. Agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA” raportoi se rezultatet e këtij testimi do të shërbejnë për të përmirësuar statusin strategjik të vendit.

Por nuk ka dhënë detaje të tjera rreth kësaj prove. Analistët e huaj besojnë se Koreja e Veriut mund të ketë kryer një test për lëshimin e një sateliti apo një rakete balistike ndërkontinentale. Kjo provë vjen në momentin kur shteti koreano-verior ka mbyllur bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk kemi nevojë për bisedime të gjata me SHBA dhe denuklearizimi tashmë është jashtë tryezës së bisedimeve”, tha i dërguari i Koresë së Veriut në OKB.

Të shtunën, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se shpreson ende në arritjen e një marrëveshje me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Trump përdori diplomacinë me Korenë e Veriut për të mbyllur programin bërthamor të shtetit komunist. Edhe pse organizoi dy samite me Kim Jong Un, madje shkeli edhe në tokën koreano-veriore, nuk arriti marrëveshje për denuklearizimin. /tvklan.al