Retorika mes Uashingtonit dhe Phenianit po ashpërsohet gjithnjë e më shumë. Rreziku i luftës po shtohet, gjë që mund të detyrojë shtetet e NATO-s për angazhim brenda aleancës. Skenarët e mundshëm:

Bota po mban frymën për shkak të skenarit kërcënues të luftës – Koreja e Veriut synon të sulmojë me raketa ishullin e Paqësorit, Guam, ku SHBA ka bazën e saj ushtarake. Sipas toneve luftarake nga Pheniani raketa megjithatë do të fundoset në det, 30-40 kilometra para Guamit, që do të thotë ajo bie në det pak para ujërave të kontrolluara nga amerikanët. Kështu SHBA-të politikisht nuk do të ishin të detyruara të reagonin me kundërsulm.

Por frika nga shkallëzimi i situatës mbetet: Edhe nëse Koreja e Veriut godet në afërsi, presidenti amerikan mund të ndjehet i provokuar e të reagojë si edhe u shpreh me “zjarr e zemërim”. Por mund të ndodhë që raketa koreanoveriore pa dashur të godasë ujërat territoriale amerikane. Ajo që dihet është, nëse fillon një luftë në Gadishullin Korean, kjo do të prekë të gjithë bashkësinë ndërkombëtare.

1. Janë të detyruara shtetet e NATO-s për të ofruar ndihmë në kuadër të aleancës?

Për anëtarët e aleancës vlen parimi: Nëse kryhet një sulm i armatosur ndaj një aleati, ky shihet si sulm ndaj të gjithëve. Këtë e kërkon neni 5 i Marrëveshjes së Aleancës së Atlantikut Verior. Por neni 6 e kufizon këtë, vetëm për sulme ndaj territorit shtetëror të një shteti europian, atlantikoverior të NATO-s, apo “ndaj një ishulli ku njëra palë ka të drejtat territoriale në zonën atlantikoveriore e në veri të tropikut të gaforres (Tropiku i Veriut, shën.red.”

Kjo klauzolë e përjashton ishullin Guam që ndodhet shumë më tepër në jug. Megjithatë nga qarqet e NATO-s bëhet e ditur, se aleatët nuk ndjehen të kufizuar nga kjo klauzolë dhe se do të mbështesin SHBA-të.

2. Si do të ofrohej mbështetja?

Mbështetje në kuadër të NATO-s nuk do të thotë, se aleatët do të dërgojnë të gjithë anije luftarake në drejtim të Paqësorit Jugor, në rast se Guami sulmohet. Politologu Matthias Dembinski nga Fondacioni i Hesenit për Studimet e Paqes dhe Konflikteve, thotë se megjithatë „ato e peshojnë vetë, se si do ta ofrojnë këtë mbështetje.” Me vështrim nga Gjermania, politologu thotë, se „ne do të ofronim ndihmë diplomatike, solidaritet, por jo ndihmë ushtarake.”

3. Po Britania e Madhe?

Qeveria në Londër prej kohësh zhvillon me SHBA një „marrëdhënie speciale”, një partneritet të veçantë, që ka bërë që trupat britanike të nisen bashkë për luftë me trupat amerikane, si në vitin 2001 në krah të presidentit Bush, kur nisi lufta e Irakut. Megjithatë Dembinski nuk beson se Britania e Madhe do t’i dilte krah SHBA-së nëse sulmohet Guami. Ky vend nuk është më në këtë rajon prezent si më parë nga ana e politikës së sigurisë, thotë eksperti.

4. Kush mund ta mbështeste SHBA ushtarakisht?

Megjithëse sulmi koreanoverior ndaj Guamit është hipotetik, Australia siguroi ndërkohë Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e saj. Kryeministri Malcolm Turnbull u shpreh se këtë e parasheh si të detyrueshëm Pakti i Sigurisë së Paqësorit, ANZUS. Në të vërtetë në marrëveshje nuk shënohet ndonjë detyrim, por konsultim. Megjithatë Australia i ka mbështetur SHBA-të, si në luftën e Koresë ashtu edhe të Vietnamit me një numër të madh trupash.

Po ashtu ushtarakisht do të merrte pjesë edhe Koreja e Jugut, që në rast sulmi nga ana e Koresë së Veriut do të ishte më e prekura. Në rajon edhe Japonia qëndron krah Shteteve të Bashkuara. Por pritet që japonezët të mos angazhohen shumë ushtarakisht, sepse kushtetuta pacifiste është mjaft e kufizuar për sulmet ushtarake. Edhe popullsia japoneze është mjaft skeptike ndaj opcionit ushtarak.

5. Sa realist është skenari i luftës mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së?

Politologu Dembinski pret që të mos shtrohet çështja e opcionit ushtarak. Vetëm numri i viktimave të luftës në gadishullin korean do të ishte aq i madh, saqë të dyja palët kanë një interes themeltar që ta mënjanojnë përplasjen ushtarake. Sipas tij, ky konflikt „po ngre flluska më shumë se duhet”./Deutsche Welle