Koreja e Veriut ka pranuar ofertën për të marrë pjesë në bisedimet e nivelit të lartë që do të zhvillohen me Korenë e Jugut javën e ardhshme për Lojërat Olimpike Dimërore.

Në takimin e datës 9 Janar do të diskutohet për të gjetur një mënyrë që atletët e Koresë së Veriut të ndjekin Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen në Korenë e Jugut në Shkurt.

Diktatori koreano-verior Kim Jong Un deklaroi më herët gjatë kësaj jave se dërgimi i një delegacioni në Lojërat Olimpike do të ishte një mundësi më e mirë për të treguar unitetin mes njerëzve.

Bisedimet e nivelit të lartë mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut do të jenë të parat që dy vendet kanë pasur që prej Dhjetorit të vitit 2015. Takimi pritet të mbahet në një fshat të çmilitarizuar, në kufirin mes dy shteteve. Presidenti i Koresë së Jugut e ka komentuar këtë takim si një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet me Veriun, dy vende që teknikisht janë në luftë me njëra-tjetrën.

/tvklan.al