Koreja e Veriut lëshon papritur thirrje për ribashkimin e gadishullit në një shtet të vetëm. Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA shkruan se thirrja u lëshua pas një takimi mes zyrtarësh të lartë politikë në Penian.

Shteti komunist kërkon që t’i jepet fund tensioneve ushtarake dhe i bën thirrje Seulit të ndalë stërvitjet e përbashkëta me Shtetet e Bashkuara. Në deklaratën e shpërndarë nga KCNA thuhet se “Çdo banor i kombit të ndarë duhet të intensifikojë kontaktet në të dyja pjesët e gadishullit”.

Dy Koretë iu rikthyen përpjekjeve për riunifikim pas 2 vitesh ndërprerjeje. Më 2 janar Peniani pranoi kërkesën e Seulit për të garuar në një ekip të përbashkët në Lojërat Olimpike dimërore që zhvillohen në shkurt në Korenë e Jugut.

Më 8 shkurt, një ditë përpara nisjes së këtyre lojërave, shteti komunist ka planifikuar një paradë ushtarake në përkujtim të 70-vjetorit të krijimit të ushtrisë koreanoveriore.

Peniani po përballet me sanksione tepër të ashpra, si pasojë e avancimit të programit bërthamor e raketor. Tensionet u përshkallëzuan vitin e kaluar aq sa u rrezikua edhe shpërthimi i një konflikti bërthamor mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.

Tv Klan