Vendi komunist nis prodhimin e një arme të re

Koreja e Veriut do të nisë sërish provat bërthamore dhe raketore. Vendimi i parë për këtë vit, i liderit komunist Kim Jong-un ishte shfuqizimi i moratoriumit për këto prova.

Sipas agjencisë së lajmeve KCNA, Kim Jong-Un njoftoi në mbledhjen kësaj të mërkure të Komitetit Qendror të partisë komuniste se në një të ardhme të afërt vendi do të nisë testimin e një arme të re strategjike, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Prej të shtunës, ai zhvilloi një sesion të jashtëzakonshëm mbledhjesh me kryesinë e partisë, ku mendohet të jenë diskutuar hapat që do të ndërmerren këtë vit në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara.

Pheniani paralajmëroi në Dhjetor se do të kishte surpriza të paparashikueshme për presidentin amerikan Donald Trump. Koreja e Veriut i kishte vendosur ultimatum Shteteve të Bashkuara, që deri në fund të 2019-s të pranonte lehtësimin e sanksioneve ekonomike, të cilit Uashingtoni nuk iu përgjigj.

Në të kundër do të hiqej dorë nga pezullimi i provave bërthamore dhe raketore me rreze të gjatë, për të cilat u ra dakord në takimet që Donald Trump zhvilloi me Kim Jong-un vitin e kaluar.

Tv Klan