Media shtetërore në Korenë e Veriut pretendon se vaksinat kundër koronavirusit shkaktojnë vdekje dhe nuk do ta frenojnë pandeminë.

Shteti më i izoluar i botës thotë se në vend nuk ka raste me Covid-19 dhe është i paprekur nga pandemia, një pretendim të cilin e ka bërë prej fillimit.

Gazeta zyrtare e Koresë së Veriut ka shkruar në numrin e së martës se virusi Covid-19 vazhdon të përbëjë një kërcënim global sepse vaksinat e krijuara jo vetëm që nuk po funksionojnë, por po shkaktojnë edhe fatalitete.

Situatat në shumë vende po tregojnë se vaksinat janë larg një ilaçi. Disa vaksina që ishin konsideruar shumë efektive, kanë shkaktuar efekte anësore të rënda, përfshirë edhe vdekjen, duke bërë që shumë vende të ndalojnë përdorimin e tyre”, shkruhet ndër të tjera në artikull.

Që prej vitit 2020 kur në shtypin botëror u raportua se shkencëtarët po kryenin prova klinike për të prodhuar vaksinën, media në Korenë e Veriut nuk ka raportuar se çfarë ndodh në këtë shtet me pandeminë.

Rreth 1.7 milionë doza të vaksinës AstraZeneca ishte parashikuar që të dorëzoheshin në muajin Maj në Korenë e Veriut përmes programit të Covax, por plani ka hasur në vonesa.

Koreja e Veriut ka raportuar në OKB se nuk u gjet asnjë rast i virusit Covid-19 nga testimet që u kryen në 24.500 qytetarë deri në mes të muajit Prill. /tvklan.al