Koreja e Veriut ka ndërprerë të gjitha linjat telefonike me Korenë e Jugut. Gjatë javëve të fundit të dy vendet janë përplasur me njëri-tjetrin duke kërcënuar hapur se do të mbyllin edhe zyrën ndërlidhëse dhe projektet e tjera. Telefonatat e përditshme, të cilat bëheshin më parë në një zyrë ndërlidhëse të vendosur në qytetin kufitar të Koresë së Veriut, Kaesong, do të pushojnë duke filluar nga kjo e martë.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut teknikisht janë ende në luftë sepse nuk u arrit asnjë marrëveshje paqeje kur gadishulli u nda në vitin 1953. Zyrtarët e veriut kanë deklaruar se do të ndërpresin plotësisht edhe kanalet e komunikimit ushtarak. 

Kim Yo-jong, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-Un kërcënoi javën e kaluar të mbyllte zyrën, nëse Koreja e Jugut nuk ndalon grupet e dezertorëve që dërgojnë fletëpalosjet në veri.

Ajo tha se fushata e fletëpalosjeve ishte një veprim armiqësor që shkelte marrëveshjet e paqes të bëra gjatë samitit të Panmunjom të vitit 2018. Nuk dihet nëse këto vendime janë marrë nga lideri komunist i Koresë së Veriut pasi për të ende nuk dihet nëse është gjallë apo jo.

Mediat ende aludojnë rreth Kim Jong Un pasi kohët e fundit ka qenë e motra e tij që ka marrë vendime, por nuk dihet se në urdhrat e kujt ka vepruar. Hera e fundit që Kim doli në publik ishte në datën 1 maj që përkoi edhe me Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ku lideri komunist përuroi një fabrikë plehu.

Mendohet se Kim Jong Un mund të ketë inskenuar vdekjen e tij për të vënë në provë besnikërinë e rrethit të tij të brendshëm. Edhe sot ende nuk dihet se çfarë ndodh brenda mureve të Koresë së Veriut pasi u bë rreth 1 muaj që lideri koreano-verior nuk del më në skenë.

Klan Plus