14 persona rezultojnë të infektuar

Koronavirusi ka shënuar viktimën e parë në Shqipëri. 73-vjeçarja me inicialet Q.G, e cila po mbahej në terapi intensive në Spitalin e Durrësit, e identifikuar me koronavirus dy ditë më parë, ka ndërruar jetë teksa po transportohej me autoambulancë për në Spitalin Infektiv në Tiranë.

Në raportimin më të fundit, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se rezultojnë 15 të prekur me koronavirus duke përfshirë edhe të moshuarën që ndërroi jetë.

12 nga të infektuarit kanë lidhje me rastin e parë, një person rezulton në Lushnje, një në Tiranë dhe e moshuara që ndërroi jetë në Durrës.

Nga këta, vetëm 3 janë në spital, ndërsa të tjerët po qëndrojnë në vetëkarantinim pasi nuk kanë shfaqur probleme shëndetësore.

Ministrja theksoi se i gjithë personeli i Spitalit të Durrësit, ku ndërroi jetë e moshuara, ka rezultuar negativ pas kryerjes se analizave.

Për të parandaluar përhapjen e virusit, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur mbylljen e një sërë aktivitetesh deri në 3 Prill. Veç masave të higjienës, apeli i institucioneve shëndetësore është qëndrimi në shtëpi për të gjithë ata persona që nuk kanë domosdoshmëri të dalin në ambiente publike.

Tv Klan