Në një komunikim me qytetarët gjatë orëve të mbrëmjes këtë të diel, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli 8 propozime drejtuar qeverisë, në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve.

Në komunikimin e tij, Basha u shpreh se sot ekonomia shqiptare ka nevojë për garanci dhe mbështetje. Ai tha se qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë urgjentisht masa të forta dhe të shpejta për të kompensuar impaktin negativ të koronavirusit në ekonomi. 

Basha u shpreh se kjo prizë duhet paraprirë dhe jo të ndiqet nga pas, në të kundërt do rrezikojmë shumë. Sipas kreut të PD, në çdo vend të prekur nga koronavirusi, paralelisht me masat ekstreme për të parandaluar përhapjen, janë përcaktuar edhe masa të forta mbështetëse, financiare dhe fiskale, për qytetarët dhe për bizneset.

 “Për këtë arsye, ne kemi propozuar prej datës 11 mars, disa masa të veçanta në mbështetje të ekonomisë dhe të qytetarëve. Situata si kjo që po kalojmë kanë impakt të thellë në ekonomi. Frika dhe pamundësia për të mos përballuar financiarisht furnizimin me ushqime apo faturat e ujit dhe të dritave si dhe mbyllja e bizneseve do të sjellin rënien e konsumit. Me mijëra biznese të mbyllura sot do të thotë më pak punë e më pak të ardhura si për qytetarët, ashtu edhe për sipërmarrjen shqiptare. Nuk ka më kohë për të pritur. Ndaj i bëj thirrje qeverisë që pa asnjë vonesë të rishikojë buxhetin e shtetit për vitin 2020 dhe të ndërmarrë këto masa në mbështetje të qytetarëve, të të punësuarve dhe të bizneseve te vogla, të mesme dhe sipërmarrjes në tërësi“, tha Basha teksa renditi propozimet si më poshtë.

“1.  Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse). 2.  Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin. 3.  Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021). 4.  Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.

Gjithashtu, të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje. 5.  Të përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore. 6. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.

Sa i përket mbështetjes për shtresat në nevojë ku Bankës Botërore, në Shqipëri janë të paktën 300.000 familje që në kushte normale nuk sigurojnë dot ushqim të mjaftueshëm. Këtyre u shtohen edhe mijëra qytetarë të tjere që si pasojë e tërmetit jetojnë në kushte të vështira, në cadra pra në pamundësi për të siguruar ushqim dhe materiale higjieno-sanitare. Prandaj për këto shtresa i kemi propozuar këtë paketë mbështetëse qeverisë: 1. Furnizimin me ushqime dhe detergjent të të gjithë familjeve që janë në pamundësi ekonomike, duke përfshirë qindra familje që po jetojnë në çadra dhe në kushte aspak të favorshme si pasojë e tërmetit. 2. Mundësi për të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit nëse dalin në rrugë”.

Basha tha më tej se muaji Mars shënon muajin e detyrimeve më të rënda për bizneset dhe qeveria duhet të tregohet solidare për të mbajtur në këmbë ekonominë. Prandaj ai i bëri thirrje qeverisë që të ndihmojë biznesin dhe qytetarët duke shtyrë deklarimin e TVSH, pagesën e kontributeve, deklarimin e pasqyrave financiare, pagesën e kësteve mujore të tatim fitimit si dhe çdo lloj deklarimi tjetër të kërkuar me ligj gjatë kësaj periudhe.

Marrja e këtyre masave, sipas kreut të opozitës, është mbështetje jetike për njerëzit sot, por edhe garanci për të mirën e përbashkët nesër. “Ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo krizë, por e sigurtë është që nëse nuk marrim këto masa sot, do të jetë shumë vonë nesër”, shtoi Basha./tvklan.al